Formaldehidi që u gjet në sistemin klinik për furnizimin me oksigjen mund të jetë kancerogjen

Formaldehidi shkakton irritim të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, syve dhe hundës dhe mund të shkaktojë alergji dhe inflamacione, ndërsa gjatë një ekspozimi afatgjatë mund të jetë edhe kancerogjen. Kështu i shpjegon karakteristikat e formaldehidit drejtori i Klinikës së Toksikologjisë, Andon Çibishev, për të cilin ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha është gjetur në sistemin klinik për furnizimin me oksigjen, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Kolegu i tij nga Klinika e Toksikologjisë, Niko Beqarovski, thotë se formaldehidi shkakton acarim të hundës dhe dhimbje të kokës.

“Formaldehidi është një substancë shumë irrituese. Nëse bëhet fjalë për më shumë se 0,75 mikrogramë, ai mund të shkaktojë edemë pulmonare dhe komplikime të tjera më serioze. Por në këtë rast sigurisht që bëhet fjalë për mikropërqëndrime”, thotë Beqarovski.

Sallat kirurgjike të Qendrës Klinike Shtetërore ishin jashtë përdorimit për shkak të aromës së pakëndshme, ndërsa ekspertë gjermanë e hetuan shkakun e shfaqjes së kësaj arome. Formaldehidi ka një erë karakteristike të ashpër, të fortë dhe irrituese dhe është inflamabil.

Profesori Vlladimir Petrushevski nga Instituti i Kimisë në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikore thotë se normalisht  nuk është gjë e mirë që formaldehidi të gjendet në një sistem oksigjeni i cili përdoret për pacientët.

“Është një helm i butë. Pyetja është se si ka përfunduar atje. Nëse tubat janë prej plastike, ato përmbajnë pakelit, i cili është një nga masat e para plastike që përmban rrëshirë formaldehide. Pra, nëse disa gypa janë bërë nga pakeliti, është e mundur që pas njëfarë kohe, pasi të ketë skaduar afati i përdorimit të tyre, prej tyre të çlirohet formaldehidi. Sido që të jetë, ka një efekt të një helmi të butë”, thotë Petrushevski.

Në pyetjen e gazetarëve ministri Taravari sot tha se ka informacione të sigurta se në sallat kirurgjike të Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup është gjetur një përqendrim i vogël i formaldehidit, por Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka pranuar asgjë zyrtare.

“Çfarëdo që t’ju them do të jetë jozyrtare, e pasaktë, e pasigurt. Prisni, ne jemi transparentë, gjithçka që marrim e ndajmë me publikun. Tashmë jemi duke punuar për blerjen e një stacioni për kompresim tërësisht të ri dhe një instalim krejtësisht të ri, me të cilin shpresoj që ky problem të zgjidhet sa më shpejt sepse situata të tilla krijojnë pasiguri tek pacientët të cilët i  shfrytëzojnë shërbimet shëndetësore”, tha Taravari.

Për shkak të problemit me sistemin e oksigjenit dhe ajrit të kompresuar një numër i madh i sallave kirurgjike nga mesi i majit ishin të mbyllura. Disa nga sallat kirurgjike punojnë me kompresorë të jashtëm që merren me qira. Numri i operacioneve është i reduktuar ndërsa rastet jo emergjente shtyhen për disa muaj. Barrën e kësaj i kaloi spitalit “8 Shtatori“ dhe Spitalit të Qytetit, ku në 10 ditë janë kryer 150 ndërhyrje kirurgjikale.

Ministri Arben Taravari më 26 korrik informoi se deri në Vitin e Ri pritet të normalizohet puna e klinikave kirurgjike në Qendrën Klinike, pasi që deri atëherë pritet të vendosen kompresorë të rinj të oksigjenit. Meqë për tenderin e parë nuk kishte të interesuar, u shpall një tender i dytë.

Ndryshe, Kujtojmë se sallat e operimit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ndaluan së punuari për shkak të një ere të pakëndshme që u përhap përmes sistemit të ventilimit dhe problemi i furnizimit me oksigjen. Prokuroria Themelore Publike është zotuar se do të hetojë rastin, në rast se ka vepër penale.