FNA konstatoi shkelje ligjore në konkursin për rektor të Universitetit të Teknologjisë së Informacionit “Shën Apostull Pavli” Ohër

Më 15 korrik të këtij viti të Universiteti i Teknologjisë së Informacionit “Shën Apostull Pavli”, Ohër ky institucion ka publikuar thirrje për Rektor në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe statutare, i dizajnuar në atë formë që t’i sigurojë edhe një mandat Rektorit aktual të këtij universiteti, Ivan Bimbiloski, thonë nga Forumi për Ndryshime në Arsim, transmeton Portalb.mk.

“Shkelja ligjore qëndron në vendosjen e kritereve shtesë për të aplikuar për Rektor, në kundërshtim me nenin 97, paragrafi 3 të Ligjit për Arsim të Lartë dhe nenit 128 të Statutit të këtij universiteti – në të cilat thuhet se për të kandiduar për Rektor mjafton të jesh nga radhët e profesorëve të rregullt dhe shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Në këtë konkurs mungonte vetëm të thuhet që kandidati duhet të ketë fytyrën e njëjtë si Rektori aktual, Ivan Bimiloski. Rikujtojmë udhëheqësinë e këtij universiteti se kriteret shtesë kanë të bëjnë me përzgjedhjen në tituj akademik, por assesi për zgjedhjen e Rektorit”, thuhet në reagim.

Forumi për Ndryshime në Arsim kërkon nga Senati i këtij Universiteti që sa më shpejt të anulojë këtë konkurs dhe të sjellë vendim për shpalljen e konkursit të ri, në përputhje me dispozitat ligjore dhe të statutit të vetë universitetit.

“Universitete autonome po – por jo mbi ligjin. Kërkojmë nga Inspektorati i Arsimit dhe Ministria e Arsimit dhe Shencës që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti deri në fund.
Shkelja e ligjit është krim ndërsa shkelësit janë kriminelë. Meqë këtu shkelja është evidente dhe e qëllimshme, FNA-ja konsideron se në institucionet për arsim të lartë s’ka dhe s’duhet të ketë vend për këtë lloj të profesorëve”, thonë nga FNA.

Ata rikujtojnë se rast identik i dizajnimit të kritereve në konkursin për Rektor për t’i shkuar për shtati njërit kandidat specifik kishte një vit më herët në Universitetin e Tetovës. Por që presioni mediatik dhe i FNA-së çoi deri në anulimin e atij konkursi.

“Por përpos anulimit të konkursit, asnjë institucion publik në Maqedoninë e Veriut asokohe s’e pa të arsyeshme të ndëshkojë shkelësit të cilët tentuan të vjedhin pozitën e Rektorit. Forumi për Ndryshime në Arsim do të monitorojë deri në fund zgjedhjen e Rektorit të ri në këtë universitet. Dështimin e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, përpos Universitetit, do t’ia faturojmë edhe ministres së re për Arsim dhe Shkencë, Vesna Janevska dhe drejtuesit të Inspektoratit të Arsimit”, thonë nga FNA.

Krahas dy kritereve të parapara në Ligjin për arsimin e lartë dhe Statutin e këtij universiteti të cilat janë se kandidatët për rektor duhet të jenë shtetas të RMV-së dhe të jenë profesorë të rregullt (ordinar), UT-ja atëkohë kishte vënë edhe kusht shtesë që kandidatët të kenë më së paku 15 vjet përvojë pune si kuadër mësimor.