Fisnikërim apo vulgarizim

Aristoteli te Politika i kushtoi rëndësi arsimit, i cili duhej ta fisnikëronte individin, t’ia forconte karakterin, t’ia mësonte praktikimin e virtytit dhe ta largonte nga e dhunshmja dhe vulgarizimi.

Njeriu mund të fisnikërohet nëpërmjet artit dhe edukimit, që “përpiqen të mbushin mangësitë e natyrës”.

Nxënësit duhej të mësonin për gjërat e dobishme që ishin të nevojshme dhe mos përdornin fjalë të turpshme, sepse “fjalët e turpshme çojnë në veprime të turpshme”.

Për filozofin ishte vulgare gjithçka që e deformonte trupin dhe mendjen e njeriut, kurse të rinjtë nuk duhej ta kishin si qëllim të jetës vetëm dëfrimin. “Mësimi nuk është dëfrim, por dhimbje”.

Katër detyrat kryesore të edukimit, sipas Aristotelit, ishin: leximi e shkrimi, gjimnastika, muzika dhe vizatimi.

Leximi, shkrimi dhe vizatimi e shtynin njeriun të mendonte më thellë, kurse gjimnastika ia forconte trupin.

Aristoteli i kushtoi më shumë rëndësi muzikës, sepse ajo mund ta fisnikërojë njeriun ose të shkaktojë efekt vulgarizues.

Duke e aktualizuar mendimin e filozofit për muzikën, mund të pyesim: a na fisnikëron muzika e sotme apo ajo prodhon vetëm efekte vulgarizuese?

Sot kudo në botë krijohet më shumë muzikë vulgarizuese për qëllime komerciale, kurse ana artistike është në plan të dytë. Madje për muzikën vulgarizuese sot flitet edhe në shkolla.

Mund të vazhdojmë me pyetjet: Çfarë muzike na imponojnë elitat politike gjatë fushatave zgjedhore? A mund t’i njohim më mirë politikanët nëpërmjet preferencave të tyre artistike? A duan ata të na imponojmë vulgaren që e ç’fisnikëron karakterin, vetëm pse ajo është e gjithëpranuar nga publiku që nuk ka kërkesa të veçanta estetike?

Sot kemi tirani të kiçit. Në çdo sferë shoqërore. Kiçi dhe arti i estradës nxiten nga elitat politike sepse kanë receptim më të madh.

Kiçi, sipas Milan Kunderës, e përcakton qëndrimin e dikujt që me çdo kusht dëshiron t’i pëlqejë shumicës. Për t’i pëlqyer shumicës duhet ta konfirmosh atë që po kjo shumicë dëshiron ta dëgjojë.

Danilo Kish e përkufizoi edhe nacionalizmin si “ideologji e kiçit dhe e banalitetit”. Nëpërmjet kiçit, banalitetit dhe vulgarizimit përfitojnë populistët, që nuk e kanë merakun pse ç’fisnikërohet njeriu.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.