Fisnik Doko i vlerësuar nga Microsoft: Inteligjenca Artificiale duhet integruar në procese reale jo vetëm të përdoret si mjet i gatshëm

Nga Maqedonia e Veriut në komunitetin global të teknologjisë, Fisnik Doko është vlerësuar nga Microsoft me titullin prestigjioz Most Valuable Professional-MVP, në kategorinë Microsoft Foundry. Ky çmim u ndahet ekspertëve që, krahas njohurive dhe rezultateve profesionale, dallohen edhe për kontributin e vazhdueshëm në komunitet, përmes ligjërimit, mentorimit dhe ndarjes së përvojës. Me një karrierë shumëvjeçare në fushën e teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe shërbimeve cloud, si dhe me 12 vjet përvojë si Microsoft Certified Trainer, Doko ka ligjëruar në konferenca ndërkombëtare dhe ka mentoruar studentë e profesionistë në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon. Në një bisedë për Portalb.mk, ai foli për çmimin, zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe mundësitë që ky transformim teknologjik mund t’u ofrojë të rinjve dhe vendeve të rajonit

Portalb.mk: Si e përjetuat momentin kur morët njoftimin se Microsoft ju ka vlerësuar me titullin prestigjioz MVP?

Fisnik Doko: Ishte një moment shumë i veçantë, emocional dhe njëkohësisht kulminacion i një rrugëtimi të gjatë profesional. Për mua, ky vlerësim përfaqëson njohjen e përvojës, ekspertizës dhe profesionalizmit të dëshmuar gjatë shumë viteve të punës në industrinë e teknologjisë dhe në komunitetin profesional.

Titulli Microsoft Most Valuable Professional është një çmim i veçantë, sepse nuk lidhet vetëm me njohuritë teknike apo me pozitën profesionale. Ai u ndahet ekspertëve që, krahas rezultateve në profesionin e tyre, ndajnë vazhdimisht njohuritë dhe përvojën me komunitetin dhe krijojnë ndikim përtej punës së tyre të përditshme.

Prandaj, njoftimin e përjetova me shumë krenari, por edhe me përulësi dhe përgjegjësi. Ishte një konfirmim se angazhimi im shumëvjeçar, ligjëratat, mentorimi, aktivitetet profesionale dhe kontributi në zhvillimin e komunitetit janë njohur edhe në nivel ndërkombëtar.

Këtë arritje nuk e shoh vetëm si sukses personal. Ajo ka rëndësi edhe për komunitetin tonë dhe dëshmon se profesionistët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni mund të jenë të pranishëm dhe të vlerësuar në nivelet më të larta ndërkombëtare.

Portalb.mk: Çfarë përfaqëson për ju personalisht dhe profesionalisht titulli Microsoft Most Valuable Professional?

Fisnik Doko: Personalisht, ky titull përfaqëson një konfirmim të bindjes sime se njohuritë dhe përvoja marrin vlerën e tyre të plotë vetëm kur ndahen me të tjerët. Në jetë nuk jemi vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë, për të kontribuar dhe për t’ua lehtësuar rrugën atyre që vijnë pas nesh.

Prej 12 vitesh jam Microsoft Certified Trainer dhe gjatë kësaj periudhe kam trajnuar, ligjëruar dhe mentoruar profesionistë në teknologjitë e Microsoft-it. Ky angazhim më ka mësuar se roli i një eksperti nuk është vetëm të zotërojë njohuri, por edhe të dijë t’i përcjellë ato në mënyrë të kuptueshme dhe të dobishme për të tjerët.

Profesionalisht, Microsoft MVP është një vlerësim i veçantë që Microsoft ua jep ekspertëve të njohur jo vetëm për profesionalizmin dhe ekspertizën teknike, por edhe për kontributin e vazhdueshëm dhe ndikimin që kanë në komunitet.

Për këtë arsye, titulli MVP ka një domethënie të veçantë për mua. Ai bashkon dy pjesë shumë të rëndësishme të karrierës sime: përvojën e gjatë profesionale në teknologji dhe përkushtimin për t’i ndarë njohuritë e fituara me komunitetin, kolegët, studentët dhe gjeneratat e reja.

Portalb.mk: Për cilat kontribute konkrete në komunitetin teknologjik u vlerësuat në kategorinë Microsoft Foundry?

Fisnik Doko: Vlerësimi në kategorinë Microsoft Foundry lidhet me kontributin tim në fushën e inteligjencës artificiale, teknologjive cloud dhe zhvillimit të zgjidhjeve moderne të bazuara në ekosistemin e Microsoft-it.

Në kuadër të angazhimit tim profesional dhe kontributit tim në komunitet, kam pasur mundësinë të ligjëroj dhe të ndaj përvojën time në konferenca dhe aktivitete teknologjike në vende të ndryshme të Evropës. Prezantimet e mia janë fokusuar kryesisht në Azure, Microsoft Foundry, inteligjencën artificiale gjenerative, sistemet me agjentë inteligjentë dhe zbatimin praktik të këtyre teknologjive në zgjidhje reale.

Krahas konferencave ndërkombëtare, kam kontribuar vazhdimisht në zhvillimin e komunitetit teknologjik në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon, duke përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë. Këtu bëjnë pjesë organizimi i Global Azure Day në Prishtinë, pjesëmarrja dhe kontributi në evente teknologjike në Tiranë, mentorimi i studentëve, si dhe ndarja e përmbajtjeve dhe demonstrimeve teknike me profesionistët e komunitetit.

Besoj se pikërisht kombinimi i ekspertizës profesionale, pranisë ndërkombëtare dhe kontributit të vazhdueshëm në komunitetin lokal dhe rajonal ka qenë pjesa kryesore e këtij vlerësimi.

Portalb.mk: Sa ka ndikuar puna juaj me studentët, mentorimi dhe ndarja e njohurive në arritjen e këtij suksesi?

Fisnik Doko: Puna me studentët dhe mentorimi kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në këtë rrugëtim. Për mua, puna me gjeneratat e reja nuk është vetëm pjesë e profesionit akademik, por edhe një përgjegjësi personale dhe shoqërore.

Ata që kanë më shumë përvojë duhet të përpiqen t’ua lehtësojnë rrugën të rinjve, në mënyrë që ata të mos jenë të detyruar të kalojnë nëpër të gjitha sfidat dhe vështirësitë që kemi kaluar ne. Duke ndarë përvojën, gabimet dhe mësimet tona, mund t’i ndihmojmë të zhvillohen më shpejt dhe të marrin vendime më të mira.

Besoj se një arritje personale ka vlerë më të madhe kur shndërrohet në mundësi, njohuri dhe frymëzim për të tjerët.

Portalb.mk: Çfarë mundësi të reja ju hap ky titull për bashkëpunim me profesionistë dhe institucione ndërkombëtare?

Fisnik Doko: Titulli Microsoft MVP hap mundësi të rëndësishme për bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, me ekipet e Microsoft-it dhe me komunitete teknologjike nga e gjithë bota.

Përmes këtij rrjeti kemi mundësi të shkëmbejmë përvoja, të diskutojmë për zhvillimet më të reja teknologjike, të japim rekomandime dhe reagime për produktet, si dhe të bashkëpunojmë në iniciativa profesionale.

Dëshiroj të vazhdoj të krijoj ura bashkëpunimi ndërmjet profesionistëve, universiteteve, kompanive dhe studentëve nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Rajoni ynë ka njerëz shumë të talentuar dhe është e rëndësishme që ata të kenë më shumë mundësi për t’u përfshirë në iniciativa dhe rrjete ndërkombëtare.

Portalb.mk: Si e vlerësoni zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe sa është e përgatitur Maqedonia e Veriut për këtë transformim teknologjik?

Fisnik Doko: Inteligjenca artificiale po zhvillohet me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë dhe po ndryshon mënyrën se si punojmë, mësojmë dhe ndërtojmë produkte e shërbime.

Unë jam veçanërisht i fokusuar te përdorimi praktik i inteligjencës artificiale. Nuk mjafton vetëm të flasim për potencialin e saj ose të përdorim mjete të gatshme. Duhet të kuptojmë se si mund të integrohet në procese reale, si mund të ndihmojë kompanitë dhe institucionet, si mund të përmirësojë produktivitetin dhe si mund të krijojë shërbime të reja.

Në të njëjtën kohë, përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të jetë i sigurt, etik dhe i përgjegjshëm. Duhet t’i kushtohet rëndësi mbrojtjes së të dhënave, saktësisë së rezultateve dhe kontrollit njerëzor.

Maqedonia e Veriut ka profesionistë të talentuar, kompani të suksesshme dhe të rinj me potencial të madh. Megjithatë, për t’u përgatitur më mirë për këtë transformim, duhet të investojmë më shumë në arsim, kërkim shkencor, projekte praktike dhe bashkëpunim ndërmjet universiteteve, institucioneve dhe sektorit privat.

Është e rëndësishme që të rinjtë të mos jenë vetëm përdorues të inteligjencës artificiale, por edhe ndërtues të zgjidhjeve të bazuara në të. Nëse fokusohemi te njohuritë praktike dhe krijimi i produkteve reale, inteligjenca artificiale mund të jetë një mundësi shumë e madhe për zhvillimin e vendit dhe të rajonit.

Portalb.mk: Çfarë mesazhi keni për studentët dhe të rinjtë shqiptarë që synojnë të ndërtojnë karrierë në teknologji dhe inteligjencë artificiale?

Fisnik Doko: Mesazhi im për studentët dhe të rinjtë është që të jenë kuriozë, këmbëngulës dhe të mos kenë frikë të fillojnë. Në teknologji nuk është e nevojshme të dihet gjithçka që në fillim. Më e rëndësishme është të krijohen shprehinë e të mësuarit të vazhdueshëm.

Mos fokusohen vetëm te diplomat, certifikatat ose përfundimi i kurseve. Ato janë të rëndësishme, por duhet të shoqërohen me praktikë. Të ndërtojnë projekte konkrete, të eksperimentojnë, te bëjnë gabime dhe të mësojnë prej tyre. Edhe një projekt i vogël, i realizuar nga fillimi deri në fund, mund t’i mësojë shumë. Të përfshihen në komunitete, të marrin pjesë në konferenca, të ndjekin ligjërata dhe të komunikojnë me njerëz që kanë përvojë. Mos kenë frikë të bëjnë pyetje dhe të kërkojnë ndihmë.

Njëkohësisht, kur të fitojnë përvojë, mos e mbajnë vetëm për vete. Ta ndajnë me të tjerët dhe te ndihmojnë dikë që është në fillim të rrugës. Një këshillë, një shpjegim ose një mundësi që mund t’ia japin dikujt mund të ketë ndikim shumë më të madh sesa e mendojnë.

Dhe për fund suksesi nuk matet vetëm me atë që arrijmë për veten, por edhe me atë se sa njerëz kemi ndihmuar gjatë rrugës.