Filloi pagesa e ushqimeve të subvencionuara, studentët që nuk kanë aplikuar mund ta bëjnë deri të shtunën

Nga sot më 1 tetor, filloi pagesa e vaktit të subvencionuar të studentëve për studentët që e ushtronin këtë të drejtë në thirrjen e parë të shpallur në muajin gusht, transmeton Portalb.mk.

Ushqimi i subvencionuar i studentëve është mbështetje financiare në shumë prej 140 denarë në ditë për blerjen e ushqimit, dhe studenti mund ta shfrytëzojë nga e hëna deri të shtunën, te personat juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqime.

Mjetet paguhen në baza javore në kartelat e ushqimit të dedikuar, kështu që studentët sot marrin një shumë prej 700 denarë (për pesë ditë të javës), të cilën mund ta shfrytëzojnë deri të shtunën, pas së cilës, ditën e hënë do ta marrin përsëri të njëjtën shumë.

Me kartat speciale, studentët mund të paguajnë te tregtarët që prodhojnë apo shesin ushqime, pra mund të blejnë ushqime në markete, furra buke, restorante dhe dyqane.

Ndërkohë që nga sot është publikuar thirrje e re për ushtrimin e të drejtës së ushqimit të subvencionuar për ata studentë që në thirrjen e kaluar nuk e kanë realizuar këtë të drejtë. Aplikimi zgjat deri të shtunën, 5 tetor.

Aplikimi bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit https://e-uslugi.mon.gov.mk/, dhe mund të aplikojnë të gjithë studentët e rregullt të universiteteve të institucioneve të arsimit të lartë shtetëror dhe privat, të cilët janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në të njëjtën kohë, aplikantët duhet të plotësojnë edhe kushtet e mëposhtme:

  • Të mos jetë në punë të rregullt,
  • Të mos jenë të regjistruar si fermerë individualë,
  • Të mos kenë të ardhura mujore në asnjë bazë më të larta se paga minimale neto në vitin aktual.

Me rastin e paraqitjes së aplikimit, studentët duhet t’i bashkëngjisin formularët e plotësuar dhe të nënshkruar siç duhet, Kërkesën për fitimin e të drejtës për ushqim studentor të subvencionuar dhe Deklaratën për saktësinë e të dhënave të futura në aplikacionin për fitimin e të drejtës për ushqim studentor të subvencionuar.

Çdo aplikant i cili ka nevojë për mbështetje të menjëhershme kur aplikon për të drejtën e ushqimit të subvencionuar studentor, mund të kontaktojë Sektorin për nxënës dhe standarde të studentëve përmes kontaktit në vijim: [email protected] ose në zyrën e dedikuar në katin përdhesë në objektin e ministrisë.

Çdo muaj, nga data 1 deri më 5 , Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të shpallë thirrje të re për ushtrimin e të drejtës së ushqimit të subvencionuar për të gjithë studentët që nuk e kanë fituar më parë këtë të drejtë.