Filloi edicioni i 34-të i “Flakës së Janarit” në Gjilan
Me homazhe te varrezat e dëshmorëve në Gjilan, duke vazhduar edhe me vizitën e Kazermës së FSK-së dhe shumë aktivitete të tjera deri në mbrëmje, atëherë edhe kur bëhet ndezja e flakadanëve, sot në Gjilan ka filluar manifestimi mbarëkombëtar, “Flaka e Janarit”, organizuar nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, transmeton Portalb.mk.
Për 3 javë Gjilani do të jetë qendër e aktiviteteve kulturore e artistike, pjesë e këtij manifestimi do të jenë edhe artistë dhe shoqata nga Maqedonia e Veriut dhe më gjerë.
Aktivitetet filluan sot, për të vazhduar deri me 31 janar me aktivitete të shumta kulturore e artistike.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se edhe ky edicion do të jetë i mbushur me aktivitete të ndryshme kulturore.
“Për 3 javë, qyteti do të jetë qendër e aktiviteteve kulturore e artistike në nderim të dëshmorëve. Filma, festivale, ekspozita e panele do të kujtojnë sakrificën e tyre”, tha Hyseni.
I pari i Gjilanit, ftoi qytetarët t’i bashkohen aktiviteteve për të nderuar traditën dhe për të mbajtur gjallë flakën e kujtesës.
