“Të korrat pa emrin e saj” në Europe House Strumicë: diskutim për gratë rurale dhe punën e tyre të padukshme

Mbi 38.000 gra në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruara si fermere, por shumë prej tyre nuk kanë qasje të barabartë në siguri financiare, pushim të lehonisë, sigurim shëndetësor dhe mbrojtje sociale. Këto sfida kanë qenë në fokus të diskutimit të djeshëm në panelin “Të korrat pa emrin e saj: Gratë rurale dhe puna e padukshme”, i cili u mbajt në Europe House Strumicë, njofton Portalb.mk.

Siç informuan nga Europe House, panel-diskutimi është organizuar në kuadër të fushatës “Vish ndryshimin” (Wear the Change), të iniciuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, të bashkuara në #TeamEurope, si pjesë e karvanit kombëtar. Diskutimi, siç thonë, ka krijuar hapësirë për të folur mbi pengesat sistemike dhe institucionale, por edhe mbi paragjykimet dhe pabarazitë që ua kufizojnë grave në zonat rurale qasjen në të drejtat e tyre.

“Gratë fermere kontribuojnë në prodhimin e ushqimit dhe në ekonominë rurale, ndërsa njëkohësisht shpesh kujdesen edhe për shtëpinë. Megjithatë, puna dhe kontributi i tyre shpesh mbeten jashtë kornizave formale ekonomike dhe institucionale. Veçanërisht shqetësuese është qasja në pronë dhe tokë: në vitin 2021, vetëm 4,1 për qind e grave në zonat rurale figuronin si pronare të pronave, ndërsa në nivel kombëtar vetëm 12 për qind e grave kanë në pronësi tokë”, thuhet në kumtesën e Europe House.

Në diskutim janë trajtuar shkaqet e këtyre pabarazive, përfshirë edhe praktikat që lidhen me trashëgiminë. Edhe pse vajzat kanë të drejtë ligjore për të trashëguar, ato shpesh heqin dorë nga pjesa e tyre në favor të vëllezërve. Në këtë ndikojnë traditat e kahershme dhe pritshmëria se, pas martesës, vajza do t’i “përkasë një familjeje tjetër”.

Në diskutim kanë marrë pjesë Veronika Ioana Çolka, zëvendësshefe e misionit të Ambasadës së Rumanisë; Lejla Rajkova, avokuese e të drejtave të grave rurale dhe e bujqësisë lokale; dhe Liljana Jonovski, profesoreshë e asociuar në Fakultetin në Kërçovë dhe eksperte për përfshirjen e grave në jetën publike, me fokus te zonat rurale.

Panelistet kanë shqyrtuar sfidat me të cilat përballen gratë që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale, zbatimin e ligjeve dhe mekanizmat e disponueshëm të mbështetjes. Është diskutuar edhe për përvojën e Rumanisë, si një vend me pjesëmarrje të konsiderueshme të fuqisë punëtore në bujqësi, si dhe për rolin e Bashkimit Evropian në avancimin e të drejtave të grave rurale.

Diskutimi ka përfshirë edhe pengesat shoqërore dhe kulturore që vazhdojnë të ekzistojnë krahas kornizave ligjore, si dhe mënyrat se si institucionet dhe komunitetet mund të kontribuojnë në krijimin e mundësive të barabarta. Pas panelit, edhe publiku është përfshirë në diskutim përmes sesionit me pyetje dhe përgjigje.

Mesazhi kryesor i diskutimit ishte se kontributi i grave fermere duhet të njihet dhe të shoqërohet me të drejta dhe siguri të barabarta. Sigurimi i qasjes në pronë, sigurim shëndetësor e social dhe në të drejtat që lidhen me punën është një hap i rëndësishëm drejt një shoqërie më të drejtë dhe të qëndrueshme.

Përmes karvanit “Vish ndryshimin”, Delegacioni i Bashkimit Evropian, ambasadat e shteteve anëtare të BE-së dhe rrjeti i Europe House vazhdojnë të hapin diskutime publike për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave në mbarë vendin.