Është djegur vetura e Dragi Mitkovskit, bartës i listës nga partia e Arsovskës në zgjedhjet parlamentare, me të cilin i prishën raportet

Mbrëmë në lagjen e Shkupit Gjorçe Petrov është djegur vetura e Dragi Mitkovskit, bashkëpunëtorit të kryetares së Shkupit Danela Arsovska. Në zgjedhjet parlamentare të majit, Mitkovski ishte bartës i listës në Njësinë e Dytë Zgjedhore nga partia Alternativa e Re e Arsovskës, transmeton Portalb.mk.

“Me datë 09.08.2024, në ora 03:05, nga Brigada e Mbrojtjes nga Zjarri – Shkup në SPB Shkup është raportuar se në territorin e Komunës së Gjorçe Petrovit është djegur vetura Mercedes A Class me targa të Shkupit, në pronësi të personit juridik nga Shkupi. Nga zjarri janë kapluar edhe veturat “Hyundai” dhe “Suzuki Swift në pjesën e parakolpëve dhe retrovizorëve. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, kanë thënë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Sipas burimeve partiake, në periudhën pas zgjedhjeve, Arsovska dhe Mitkovski i ftohën marrëdhëniet e tyre pas një sherri. Për shkak të atij sherri vjen edhe seria e shkarkimeve të drejtorëve të 3 ndërmarrjeve publike gjatë javës së kaluar, të cilët ishin përkrahës të Mitkovskit. Arsovska shkarkoi drejtorët e NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime” Viktor Pançevski, “Parkingu i qytetit” Mihail Petrevskin dhe “Higjiena Komunale” Goce Trajkovski.