Ekspertiza biologjike vërtetoi se gjykatësi Gjoko Ristov i ka fshehur personalisht paratë në murin e shtëpisë së prindërve
Sipas Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në RMV, në shtëpinë e prindërve të gjykatësit Gjoko Ristov, ku disa muaj më parë u gjetën të murosura 350.000 euro, gjithashtu janë gjetur edhe lista të ndryshme me shënime me shumën e parave. Për këtë, Prokuroria dyshon që i akuzuari Ristov ka mbajtur shënime për paratë e fituara në mënyrë të paligjshme. Njashtu, sipas ekspertizës biologjike, ka rezultuar se paratë janë të murosura personalisht nga vet gjyqtari. Sipas prokurores, Iskra Haxhivasileva, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke u bazuar në këto fakte e ka ngritur aktakuzën kundër gjykatësit Gjoko Ristov. Ristov po akuohet për përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë, si dhe për pastrim parash dhe të ardhura tjera nga vepra penale, shkruan Portalb.mk.
“Gjoko Ristov nuk ofroi fakte të mjaftueshme për origjinën ligjore të parave të murosura në shtëpinë e prindërve të tij. Pra, ai ka mashtruar dhe i ka fshehur personalisht paratë në shtëpinë e prindërve të tij. Ndërkohë ne ende nuk mund të themi përfundimisht se gjykatësi Ristov, ka marrë ryshfet, por në bazë të praktikave të shumta në të kaluarën dhe në bazë të provave që kemi ofruar, të gjithë rrugët nga dërgojnë deri te fakti se kemi pasur veprime korruptive dhe praktika të ndikimit të paligjshëm. Procedurat kundër Ristovit do të vazhdojnë dhe nëse ka dyshime të reja do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të hetuar përfshirjen e mundshme të individëve të tjerë”, tha porkuroria Iskra Haxhivaseleva.
Më tej, ajo shtoi se ky rast ka hapur shumë këndvështrime, dhe deri tek ata kanë arritur informata të ndryshime nga burime të shumta. Siç tha Haxhivaseleva, Prokuroria do të vazhdojë të hetojë gjithçka që mundet dhe është në kuadër të tyre.
Ndryshe, rasti i Gjoko Ristov, u bë i ditur kur avokati Fehmi Stafa, u kap duke marrë ryshfet 20.000 euro nga 100.000 euro të dakorduara për të ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit të caktuar ndaj Lupço Pecovit.
Gjoko Ristov, në shkurt 2020 u zgjodh gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit për çështje penale. Në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038. Më 18 janar, u realizua bastisje në shtëpinë në Negotinëtë prindërve të gjykatësit të Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, ku në murin e kuzhinës u gjetën 350 mijë euro.
Më 20 janar, MPB ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov për “përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash tjera nga vepra penale”.
Më 21 janar, Prokuroria Publike kërkoi arrest shtëpiak për Ristovin si dhe masa të kujdesit, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit.
Po të njëjtën ditë, më 21 janar, Gjykata Penale reagoi menjëherë për gjykatësin me imunitet i cili njoftoi Këshillin Gjyqësor, të cilët ia hoqën imunitetin gjykatësit.