Erdogan për anëtarësimin e Suedisë në NATO: Do merret vendimi më i mirë

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan la të hapur mundësinë për të mbështetur kandidaturën e Suedisë në NATO, për të cilin vendimi do të merret në samitin e aleancës, raporton TopChannel.

“Të martën, ne do t’i sjellim përsëri të gjitha shqetësimet e Turqisë në vëmendjen e partnerëve tanë të aleancës. Do të merret vendimi më i mirë, cilido qoftë ai për vendin tonë, kombin tonë dhe sigurinë tonë”, tha presidenti turk.

Erdogan ripohoi shqetësimet e tij, duke pyetur se si një vend me terroristë në rrugë  mund të kontribuojë në NATO, por sërish nuk dha verdikt përfundimtar.

Kjo deklaratë me tone më të zbutura se të tjerat, tek të cilat lideri turk insistonte se ende nuk do ta japin dritën jeshile për anëtarësimin e Suedisë në NATO për shkak të mosplotësimit të kushteve, nuk përjashton mundësinë se vendi do të anëtarësohet shumë shpejtë në aleancën veriatlantike.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg konfirmoi se presidenti turk dhe kryeministri suedez Ulf Kristersson do të takohen në Lituani, pak para samitit të NATO-s, për të diskutuar problemet, të cilat mbeten tejet të tensionuara sidomos pas djegies së Kuranit në Suedi pak ditë më parë.

Rezistenca e Turqisë, anëtare e NATO-s, për të pranuar Suedinë në aleancë ka irrituar Uashingtonin dhe Brukselin, të cilët argumentojnë se Stokholmi ka bërë mjaft për të adresuar shqetësimet e Ankarasë.

Erdogan po bllokon kandidaturën për shkak të një mosmarrëveshjeje të gjatë në lidhje me qëndrimin e Suedisë ndaj militantëve të dyshuar kurdë që jetojnë në vendin nordik.