Emili Dervishi me këngën “Si ti”, u shpall fituese e edicionit të shtatë të Festivalit për fëmijë “Junior Fest”
Të shtunën mbrëma në Pallatin e kulturës Gostivar, u mbajt edicioni i shtatë me radhë i festivalit mbarëkombëtar për fëmijë “Junior Fest 2024”. Në këtë skenë magjike u ngjitën 24 fëmijë nga vise të ndryshme shqiptare, njofton Portalb.mk.
Artdashësit e vegjël, të shoqëruar nga prindërit e tyre duartrokitën me duart vogla artistët, të cilët sollën një performancë të magjishme në skenë.
Secili nga konkurrentët është shpërblyer me çmim nga juria pesë anëtarëshe, të cilët kishin ardhur poashtu nga vise të ndryshme shqiptare, të gjithë nga bota e artit kryesisht muzikës dhe që vlerësuan denjë fëmijët.
Përpos konkurrentëve kishte dhe të ftuar special, që argëtuan të ftuarit dhe publikun e gjerë. Gjithashtu pjesë e festivalit ishin edhe grupi i të rinjve të aktrimit-Gostivar, fëmijë që performuan në violinë, piano e të ngjashëm.
Çmimin e parë e rrëmbeu Emili Dervishi nga Tirana me këngën “Si ti” kushtuar fëmijëve me autizëm.
Çmimet e dyta shkuan për Anila Mahmudi dhe për Ajana Zhaku.
Çmimet e treta: Luesa Rushani, Elora Tahiri dhe Ulpiana Marku.
Çmimin e parë Junior (te më të vegjëlit) e fitoi Brisea Deliaj.
Drejtoresha artistike e festivalit Betime Zylali për Portalb.mk tha se deri tani kanë pasur vetëm komente pozitive, atmosfera në festival ishte e jashtëzakonshme.
“Interesimi ka qenë shumë i madh, këngët i kemi përzgjedhur me një komision pesë antarësh, shumë e vështirë për ti përzgjedhur, por u munduam t’i zgjedhim këngët më të mira dhe shumica premierë në festivalin tonë”, tha Betime Zylali.
Në pyetjen se sa janë të rëndësishme festivalet për fëmijë, Zylali shtoi se paraqitja në festivale ndër të tjera i ndihmon edhe të kontrollojnë emocionet para një publiku më të gjërë.
“Festivalet për fëmijë janë shumë të rëndësishme, pasi ndihmojnë fëmijët të marrin leksione në skenë, mikrofon, emocionet para publikut, socializimi me shumë kultura të ndryshme nga gjitha viset shqiptare etj”, tha Zylali.
Ky festival u mbështet nga Komuna e Vrapçishtit, Vardar Dollomit, dhe disa donatorë të tjerë.
Përmes muzikës, në veçanti e artit në përgjithësi, ne më së lehti u mbjellim fëmijëve në shpirt e mendje idenë e dashurisë për vetën, njerëzit e botën. Përmes teksteve adekuate të këngëve ne i vetëdijësojmë fëmijët se si duhet t’i respektojnë njerëzit pa dallime, si të kujdesen për kafshët e si ta mbrojnë natyrën.