Edi Rama në Beograd: Zvarritja e formimit të Asociacionit, gabim strategjik

Procesi i Berlinit edhe situata në rajon, përfshirë zhvillimet në veri të Kosovës, kanë qenë temat, për të cilat kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ka biseduar me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Kemi fituar shprehi të shkëmbejmë hapur mendime dhe ndonjëherë të mos pajtohemi me to, por duhet të punojmë për të mirën e paqes. Ne kemi nevojë për momente të tilla për të punuar së bashku”, tha Rama, më 7 korrik, në Beograd.

Këto deklarata, kryeministri Rama i bëri në një konferencë për media në Beograd, pas takimit me presidentin serb Alleksandar Vuçiq.

Rama theksoi se beson që zvarritja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është gabim strategjik.

“Është gjithashtu gabim strategjik të vazhdohet me vonimin e krijimit të kushteve që serbët të ushtrojnë të drejtat e tyre fetare dhe që kisha të funksionojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është arritur në vitin 2013, si pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke folur për situatën në Kosovë, ai ka shtuar se është gjithashtu gabim të “insistohet” që kryetarët shqiptarë në veri të Kosovës të qëndrojnë në ndërtesa komunale.

“E kam thënë publikisht këtë dhe e përsëris këtu”, tha Rama, duke shtuar se pret që, nga ana e palës serbe, të sigurohet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje në komunat veriore të Kosovës, kur të krijohen kushtet .

Në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë, përkundër kundërshtimit të serbëve lokal që bojkotuan zgjedhjet, në veri të Kosovës u ngritën tensione.

Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera perëndimore kërkojnë de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Rama theksoi se dëshiron të njihet me idenë e presidentit të Serbisë për kërkesën për thirrjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë.

“Nuk e di se çfarë mendon presidenti kur thotë se Këshilli i Sigurimit duhet të merret me çështjen e veriut të Kosovës. Mund të flas për këtë kur ta kem një ide të qartë”, tha Rama.

Vuçiq tha në një konferencë për media, më 6 korrik, se do të kërkonte një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.

Ai më pas tha se do të kërkonte nga Këshilli i Sigurimit që të “iniciojë masa urgjente” për të mbrojtur serbët në Kosovë.

Rama tha gjithashtu se ai dhe Vuçiq do të shmangin shprehjen publike të mosmarrëveshjeve të tyre për Kosovën.

“Kemi mundësi t’i shkëmbejmë ato dhe kjo është e mjaftueshme”, tha ai.

Këtë qëndrim e ka shprehur edhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se nuk do të flasë në detaje për “pikëpamjet shpeshherë të ndryshme për situatën në Kosovë”.

Rama dhe Vuçiq për planin e Ramës për Asociacionin

Rama foli edhe për propozimin që ka paraqitur më herët për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Më 7 qershor, ai ia përcolli presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një draft -statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Rama tha se propozimi nuk ishte diçka që duhej të shqyrtohej nga të dyja palët, por shprehu keqardhjen që propozimi nuk u kuptua si kontribut.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencën për media, ka përsëritur qëndrimin se “për statutin (e Asociacionit të komunave me shumicë serbe) nuk ka asnjë përgjegjës tjetër përveç Ekipit Menaxhues serb”.

Rama dhe Vuçiq për “kumbarët” e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Shqipërisë tha se propozimin e tij për statutin e Asociacionit ia ka dërguar Gjermanisë dhe Francës, të cilat sipas tij janë “kumbarët e marrëveshjes” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Vuçiq u përgjigj se “në Serbi njerëzit zgjedhin vet kumbarët e tyre”, duke theksuar se “vetëm Serbia mund të propozojë statutin ( e Asociacionit), sepse kjo është sipas Marrëveshjes së Brukselit”.

Marrëveshja për rrugën e normalizimit të Kosovës dhe Serbisë u pranua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, AlbinKurti, në fund të shkurtit në Bruksel, ndërkaq pajtimi për Aneksin e zbatimit të saj u arrit më 18 mars në Ohër.

Bisedimet për “Ballkanin e Hapur”

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, tha se mes Serbisë dhe Shqipërisë ka një rritje të ndjeshme të shkëmbimit tregtar, që përkon me nismën “Ballkani i Hapur” dhe marrëdhënie më të mira mes dy vendeve.

“Ne do të kemi edhe takime të përbashkëta në periudhën e ardhshme në kuadër të nismës ‘Ballkani i hapur’”, tha Vuçiq.

Kjo nismë, e cila fillimisht quhej “Mini-schengen”, filloi më 10 tetor 2019 në Novi Sad. Ajo u nënshkruar nga presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nga ana tjetër, Rama tha se Vuçiq dhe ai kanë pasur diskutime të gjera për Procesin e Berlinit.

“Besoj se mund të krijojmë një plan të ri, në mënyrë që Komisioni Evropian të krijojë një pako financimi për Ballkanin Perëndimor”, tha Rama.

Rama njoftoi më herët se Tirana, në tetor, do të jetë mikpritëse e samitit të ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit.

Procesi i Berlinit është një nismë ndërqeveritare që synon të lidhë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian dhe t’i ndihmojë ata të ndërtojnë marrëdhënie të ndërsjella mbi bazën e vlerave evropiane. Ky proces u themelua në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel.

Më 23 qershor Rama paralajmëroi fundin e “Ballkanit të Hapur”, kur në një konferencë për media njoftoi “ngrirjen” e marrëdhënieve me Serbinë, për shkak të arrestimit të tre policëve të Kosovës. Ndërkohë ata u liruan për t’u mbrojtur në liri dhe janë kthyer në Kosovë.

Më 1 korrik, ai i tha Euronews Albania se kjo nismë është krijuar për të përmirësuar procesin e Berlinit dhe, sipas tij, ai mision është realizuar.

Lidhur me deklaratën e Ramës, presidenti serb Alleksandar Vuçiq tha se “nuk mund ta besoj që ai (Rama) ka thënë një gjë të tillë”.

Beogradi është kryeqyteti i fundit, të cilin kryeministri Rama e viziton në kuadër të turnit të tij të vizitave të kryeqyteteve të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë ditës së premte ai ka vizituar Sarajevën, ku ka takuar kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto si dhe Podgoricën, ku u takua me kryeministrin me mandat teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Të enjten Rama ishte për vizitë në Shkup dhe takoi kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, si dhe në Prishtinë, ku u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Siç ka thënë Rama, synimi i ketyre vizitave ishte të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.