Edhe pse punojnë, edukatoret në çerdhen e Strugës vazhdojnë të paraqiten si të papunësuara në Agjencinë për Punësim

Statusi i punës për 21 të punësuarat në çerdhen e qytetit të Strugës, “Dielli” vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Nga drejtoria e çerdhes thonë se deri në përfundimin e zgjedhjeve parlamentare nuk mundet të ndryshohet asgjë me fatin e edukatoreve dhe përkëdhelësve që punojnë me kontratë në vepër, ndërsa Ministria për Punë dhe Politikë Sociale (MPPS) topin e hedhin te Ministria e Financave. Përderisa çështja zvarritet nga procedurat institucionale, 21 edukatore dhe përkëdhelëse vazhdojnë punën me rroga nënvlerësuese për punën që bljnë, pa asnjë benefit social dhe me grupe të stërmbushura, shkruan Portalb.mk.

Vazhdon të mbetet i pazgjidhur problemi me 21 edukatoret dhe përkëdhelëset në çerdhen e qytetit në Strugë, të cilat punojnë me kontratë në vepër. Duke mos pasur status të rregulluar pune këto të punësuara në institucion shtetëror paguhen nga 10 000 denarë në muaj ndërkohë që kanë pushim pa pagesë obligativ katër muaj në vit. Këtë situatë e bënë edhe më tragjike fakti se këto të punësuara nuk gëzojnë asnjë beneficit social dhe madje paraqiten si të papunësuara në Agjencinë e Punësimit. Premtimet se autoritetet do e zgjidhin këtë problem bënë që të ndalet protesta e nisur nga edukatorët në fund të janarit. Ato u kthyen në vendin e punës gjatë javës së parë të shkurtit me shpresë se më në fund puna e tyre do të respektohet dhe vlerësohet ashtu siç duhet.

Semra është një nga këto 21 të punësuara e cila ka sakrifikuar 5 vite nga jeta e saj duke punuar me status të parregulluar e me shpresë se së shpejti do të ketë zgjidhje për rastin e saj dhe të të gjitha kolegeve.

“U kthyem në punë me shpresë dhe besim se vërtet do të ketë zgjidhje. Kemi sakrifikuar vite për këtë vend pune dhe nuk dua ta humbas, vërtet e duam punën. Edhe pse nuk është aspak e lehtë si punë, edhe më të vështirë e bënë fakti se grupet e fëmijëve janë të mbi-ngarkuara ndërsa ne jemi vetëm dy persona që kujdesim për të gjithë ata fëmijë. Secili grup ka vetëm një edukatore dhe ndihmëse apo përkëdhelëse ndërsa numri i fëmijëve zakonisht shkon nga 20-deri 30 fëmijë”, thotë Semra për Portalb.mk.

Mirëpo, deri më sot, asnjë zgjidhje konkrete nuk ka për Semrën dhe për 20 kolege tjera të saj. Madje edhe pse një ndër premtimet për t’i kthyer në vendin e punës ishte zotimi se nga muaji shkurt do të paguhen nga 15 000 denarë, rezulton se edhe ky është ishte një premtim bosh. Edhe për muajin shkurt të punësuarat do të paguhen nga 10 000 denarë për shkak se ky është muaji më i shkurtër, pagesa prej 15 000 do të fillojë nga muaji mars.

Duke mos mundur ta zgjidh problemin me statusin e punës për 21 kolege, drejtoresha paraprake e çerdhes dha dorëheqje. Redaksia e Portalb.mk u drejtua me disa pyetje te drejtoresha aktuale e çerdhes e cila thotë se deri sa jemi në periudhë zgjedhore nuk mundet të merret asnjë vendim nga institucionet shtetërore.

“Duke e pasur parasysh faktin se jemi në periudhë zgjedhore parlamentare dhe presidenciale, të gjitha thirrjet në të gjitha institucionet dhe kërkesat për miratime janë në heshtje. Në komunikimin paraprak me ju thamë se ishim dhe akoma jemi në kontakt me MPPS. Me bashkëpunim të përbashkët u dërgua kërkesë për pëlqim  nga ana jonë për punsimin e aq personave sa ligji lejon financa”, deklaroi Sanja Koleska Srboska.

Çerdhja në Strugë, foto nga Portalb.mk
Çerdhja në Strugë, foto nga Portalb.mk

Vitin e kaluar ish drejtoresha e çerdhes dërgoi kërkesë për punësim të edukatorëve në çerdhen “8 Marsi” në Strugë, por kjo kërkesë u refuzua nga MPPS. Nga ky institucion thonë se kanë kontrolluar rastin me punëtorët që punojnë me kontratë në kopshtin e fëmijëve në Strugë dhe topin e hedhin te Ministria e Financave.

“Gjatë vitit 2023 nga kopshti i fëmijëve “8 Marsi” në Strugë u erdh kërkesë më për ofrimin e mbështetjes financiare për punësimin me afat të pacaktuar për një person në pozitën krye-infermiere, 5 persona në pozitën e përkëthelëse dhe 1 person në pozitën edukatore. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale i është drejtuar me kërkesë Ministrisë së Financave, por nga Ministria e Financave është marrë një përgjigje se nuk mund t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës. Pas konstatimit të situatës për problemin në kopsht, ministrja së bashku me punonjësit e ministrisë bënë të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje në përputhje me ligjin. Pas kontrolli që kemi bërë, në Ministrinë e Financave kemi konstatuar se ka fonde për disa vende pune. Në përputhje me të njëjtën, i kemi dhënë udhëzim institucionit publik – Kopshtit që edhe një herë të paraqesë kërkesë për sigurimin e mjeteve financiare për punësim dhe ministria menjëherë do ta dorëzojë në Ministrinë e Financave”, deklaruan nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale për Portalb.mk.

Përndryshe, çerdhja e qytetit në Strugë është e mbingarkuar në çdo aspekt. Momentalisht në çerdhe janë të regjistruar rreth 500 fëmijë, edhe pse ky është një numër tejet i lartë për kapacitet që ofron çerdhja. Ndërsa 500 fëmijë tjetër presin në listë për tu regjistruar.