Edhe në fundjavë do të punohet për rebalancin e buxhetit të Maqedonisë së Veriut, sqaroi ministrja e financave

Ministria e Financave në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar rebalancin e buxhetit të shtetit, duke paralajmëruar shkurtim të shpenzimeve joproduktive, raporton Portalb.mk.

“Me anë të ribalancit do t’i rialokojmë mjetet nga zërat që nuk janë realizuar ose që janë dëshmuar si joproduktive. Analizat fillestare tregojnë se shpenzimet mund të shkurtohen rreth 200 deri në 300 milionë euro, por pasqyrë më e qartë do të ketë në ditët në vijim”, njoftoi Ministria e Financave.

Gordana Dimqitrieska – Koçoska, ministrja e financave, sqaroi që raportet buxhetore që janë dorëzuar nga shfrytëzuesit buxhetorë do të përpunohen edhe gjatë fundjavës, duke paralajmëruar shkurtime për shpenzimet e udhëtimeve, promovimeve dhe projekteve që nuk janë realizuar.

“Ajo që na shqetëson është borxhi publik, përqindja e të cilit do të shënojë rritje, sepse borxhi publik prej 61.2% është projektuar të rritet prej 3.4%, ndërsa të dhënat që i disponojmë tregojnë se ai do të jetë mes 2.1% dhe 2.5%”, tha ministrja e Financave.
Ministrja sqaroi që pagesa për rritjen e pensioneve të paralajmëruar nuk janë pengese mbi shpenzimet.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut pas rebalancit pritet të ndajë 250 milionë euro për komunat, ashtu që Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të shpallë thirrje për të gjitha komunat që të aplikojnë për këto mjete.

Ndryshe, rebalanci i Buxhetit të RMV-së pritet të bëhet në fund të muajit korrik apo fillimi i muajit gusht.