Dy persona nën hetim për “Marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftoi prokuroria, të dyshuarit – një polic gjyqësor dhe një distributor nga Gjykata Themelore Penale në Shkup – në periudhën nga gushti 2025 deri më 07.04.2026 kanë marrë drejtpërdrejt një shpërblim në shumë prej 500 euro dhe 60.000 denarë nga një dëshmitar, për ndërmjetësim nga ana e policit gjyqësor në gjykatat më të larta me qëllim sigurimin e një vendimi për lirim.

“Dëshmitari, i cili kishte paraqitur ankesë kundër një vendimi të shkallës së parë me të cilin ishte shpallur fajtor dhe dënuar me një vit burg, përmes një fqinji kishte rënë në kontakt me të dyshuarin shpërndarës, i cili e kishte drejtuar te polici gjyqësor si person që mund të ndërmjetësonte”, njoftuan nga prokuroria.

Ata më tej kanë sqaruar se, polici gjyqësor ishte paraqitur si person që punon prej shumë vitesh në gjykatë dhe ka kontakte me gjyqtarë në të gjitha nivelet, duke pretenduar se mund të ndikojë që vendimi të zëvendësohet me një vendim lirues.

“I bindur në ndikimin e tij, dëshmitari gjatë vitit 2025 i kishte dhënë distributorit 500 euro, me qëllim që ato përmes policit gjyqësor t’i jepeshin një gjyqtari të Gjykatës së Apelit në Shkup, i cili do të merrte një vendim lirues. Gjatë vitit 2026, dëshmitari i kishte paguar të dyshuarit polic gjyqësor 30.000 denarë si shpërblim për ndërmjetësimin. Pasi Gjykata e Apelit në Shkup kishte konfirmuar vendimin e shkallës së parë, dëshmitari përmes avokatit të tij kishte paraqitur një mjet juridik të jashtëzakonshëm në Gjykatën Supreme të RMV-së. Më 07.04.2026, dëshmitari i kishte paguar edhe 30.000 denarë të tjera policit të dyshuar si shpërblim për ndërmjetësimin e pretenduar para gjyqtarëve të Gjykatës Supreme që duhet të vendosin në këtë procedurë”, kanë theksuar nga prokuroria.

Prokuroria I ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit. Me vendim të gjykatës, të dyshuarit polic gjyqësor i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndërsa distributorit i është caktuar arrest shtëpiak. Prokurori i lëndës, i pakënaqur me vendimin e gjyqtarit, ka paraqitur ankesë.