Droni për mbikëqyrje do t’u ndihmojë inspektorëve në inspektimin e gërmimit të lëndëve të para minerale 

Mbikëqyrja e gërmimit të lëndëve të para minerale, si dhe kontrolli i ndërtimit të centraleve fotovoltaike dhe parqeve me erë, do të kryhet edhe me ndihmën e një droni të specializuar, i cili do t’u vijë në ndihmë shërbimeve inspektuese gjatë monitorimit të koncesionerëve, transmeton Portalb.mk.  

Sipas Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, bëhet fjalë për një sistem modern digjital dhe një dron të avancuar për mbikëqyrjen dhe monitorimin e koncesioneve për lëndë të para minerale, energji solare dhe instalime me erë. 

Teknologjia e re mundëson ndjekje të saktë të shfrytëzimit të pasurisë minerale, si dhe verifikim të koordinatave dhe të infrastrukturës së paneleve solare dhe shtyllave matëse në parqet e erës. 

“Me këtë hap, ministria e forcon transparencën dhe përdorimin e përgjegjshëm të burimeve natyrore. Sistemi i ri e përmirëson mbikëqyrjen inspektuese, duke u mundësuar inspektorëve të kryejnë kontroll edhe pa qenë fizikisht në terren. Droni mundëson reagim më të shpejtë, kohë më të shkurtër të kontrollit dhe monitorim të pandërprerë të aktiviteteve në terren, duke lejuar mbikëqyrje më të detajuar të punës së koncesionerëve dhe duke ulur ndjeshëm rrezikun e keqpërdorimeve,” deklaroi ministrja Sanja Bozhinovska. 

Punonjësit e ministrisë që do të operojnë me dronin kanë kaluar trajnim të specializuar për përdorimin e tij dhe interpretimin korrekt të të dhënave të mbledhura nga monitorimi në distancë, me qëllim sigurimin e një kontrolli profesional, të saktë dhe modern, në përputhje me standardet më të larta.