Pasi nuk u bë kryetar këshilli, Albi Qamili do ta zëvendësojë Bilall Kasamin kur do të mungojë
Bartësi i listës së koalicionit VLEN, Albi Qamili nuk u bë kryetar i Këshillit Komunal, siç ndodh zakonisht me bartësit e listave të partive/koalicioneve fituese në zgjedhjet lokale, por në vend të kësaj, ai do të ushtrojë detyrën e zëvendës-kryetarit të Komunës së Tetovës, në rastet kur do të mungojë kreu Bilall Kasami, raporton Portalb.mk.
Ndonëse pritej që Qamili të ishte kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, kjo nuk u bë pasi sipas marrëveshjes së partive në koalicionin VLEN, në këtë detyrë u zgjodh Jusuf Abduli nga partia Alternativa.
Ndërkaq Albi Qamili do të zëvendësojë kryetarin e Komunës së Tetovës në rast të mungesës së kryetarit të Komunës.
“Për mua si kryetar duke pasur parasysh edhe angazhimet e mia jo vetëm në Komunën e Tetovës por edhe më gjerë do të jetë një krah i fuqishëm dhe një lehtësim”, tha Kasami.
Ndërkaq Qamili siguroi “se këtë detyrë do ta kryejë me përgjegjësi”.
Ky rol është më tepër simbolik dhe bazohet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutin e Komunës së Tetovës.
Neni 53 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale:
- Prefekti cakton se cili nga anëtarët e këshillit do ta zëvendësojë në rast pengese ose mungese, në përputhje me procedurën e përcaktuar me statut.
- Anëtarit të Këshillit i pushon funksioni i anëtarit të këshillit gjatë kohës kur e zëvendëson prefektin.
Neni 57 i Statutit të Komunës së Tetovës:
- Gjatë kohës së pengesës ose të mungesës deri në gjashtë muaj kryetarin e komunës e zëvendëson anëtari i Këshillit të Komunës të cilin e cakton kryetari.
- Në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh prej ditës së marrjes së funksionit kryetari i komunës është i detyruar me aktvendim ta caktojë anëtarin e Këshillit i cili do ta zëvendësonte.
- Aktvendimi nga paragrafi 2 i këtij neni shpallet në “Fletoren zyrtare të Komunës së Tetovës”.
- Ditën e fillimit të pengesës ose të mungesës kryetari i komunës e informon kryetarin e Këshillit.
- Anëtarit të Këshillit i pushon funksioni i anëtarit të Këshillit gjatë kohës kur e zëvendëson kryetari.
Nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale për Portalb.mk thanë se shumë shpesh, joformalisht, anëtari i këshillit të cilin kryetari i komunës e cakton ta zëvendësojë quhet edhe zëvendëskryetar komune.
“Formalisht, përveç në mënyrën e përmendur më sipër, funksion i veçantë, zëvendëskryetar komune, nuk parashikohet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale”, thanë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.
Ndryshe, mijëra euro nga buxheti komunal i Tetovës në dy vitet e fundit kanë përfunduar në llogarinë e restorantit Primavera i cili është në pronësi të familjarëve të Albi Qamilit dhe i afërt me pushtetin lokal dhe ku aty shpesh shihen aktivistët e Lëvizjes Besa dhe funksionarë nga koalicioni VLEN. I pyetur se nëse Komuna do vazhdojë të paguajë për oragnizime aty, Kasami mohoi duke thënë se tani paraqet konflikt të drejtpërdrejtë interesi.