Dromca përsiatjesh 40-vjeçare në zamane kotekoti

Mirë se erdhët në këtë vend të harruar nga djalli dhe nga zoti! Në mbretërinë e deleve të devotshme të marrisë, ku lulëzon tregu i kurtuazisë dhe bontonit të rremë, ku fisi i moronëve lidh kokat me marhama, mos t’i derdhet truri i tepërt; ku djalli kqyr punën e vet e liliputi atë të djallit; ku plagët lidhen me kravatë e injoranca kurohet me pozë; ku zhvillohet beteja për jetë a vdekje mes Davidit shqiptar për nga fati dhe Goliatit ballaban për nga interesi; ku rojet e normës patriotike dhe namusqarët ëndërrojnë hareme dhe përllogaritin matematikisht përparësitë e poli­gamisë; ku afishohen kurvëritë e gjynahet lahen me rrena; ku shpirti u paguan tagre bijve të vet gjakbjerrur e bukëshkelë, gjelave kacagjelues që kanë dalla­shitur fesat e i kanë përzier kompetencat gjer në shkallën ku shihet açik veç alternativa e kënaqur e Sokratit migjenian.

*

Çdo kohë identifikohet me heronjtë e vet. Natyrisht, edhe shqiptarët i kanë flamurtarët e tyre, të gatshëm për t’ua vënë epokave vulat personale. Madje, në dallim nga meset e qytetëruara më herët, që kanë deficit heronjsh, zullulandi ynë ka kohë që po jeton sezonin më epik të tij, përgjatë të cilit janë krijuar njëmijë mundësi për t’nunurisur përjetësisht trurin e shashtrisur, ku ngjizen heronjtë e tri kohërave motra dhe nisin sikterisjen e tyre nëpër rërën e gjallë iluzionet e të mallkuarit të botës, ku janë shpikur njëmijë kapixhikë që garantojnë pozim triumfal para bebzave të kalldërmës, mbi të cilën kalojnë via ignatia-t e mileniumeve me valixhet përplot vite të humbura.

*

Dëshironi t’i zgjidhni problemet egzistenciale? Studioni pak mekanizmin vaditës të komshiut me kadillak, ose, nëse s’dini ta lexoni Nasradinin e gjallë, mësoni të komunikoni me ndonjë filozof  nihilist. Mësoni nga snobët e Tomas Morit, të cilëve, sa herë që u thahet truri, e kthejnë vëmen­djen tek shkëlqimi i garderobës, sepse kaq duhet për t’u bërë hero e për t’siguruar ardhmërinë e pabrenga mes pronarëve të samarit.

*

Njeriu e ka për detyrë të jetë i lirë, nuk guxon të jetë rob, sepse është i detyruar të jetë njeri, thotë filozofi Nikollaj Bergjaev. Por, zotrat nuk i durojnë njerëzit e lirë, se i tuten zënies rob prej tyre. Ata dënojnë rreptë Prometejët e padëgjueshëm dhe ndërsejnë coftin­grënësit t’ua hanë çerdhen e shpirtit – mëlçinë. Mbase për këtë Emil Siorani jep këshillën e frikshme: Provo të jetosh i lirë, do ngordhish urie, që tingëllon tmerrshëm dhe e ngjyrosur me nihilizëm të skajshëm. Por, në Ballkan, ku akoma kundërmojnë lulet e mendësisë mesjetare, thënia e tij meriton vëmendje. Këtu është në zanafillë ideja e lirisë dhe ata që e gjakojnë atë margji­nalizohen vetëdijshëm aty ku nuk u dëgjohet zëri.

*

Diktatura më e ligë është ajo që vjen e mbështjellur me sinonime eufemike dhe celofanë që e bëjnë të servohet kollajshëm. Është ky një truk i moçëm faraonësh që hedhin idenë e piramidave sa herë që duhet përkundur truri i painformuar, të cilit s’i lejohet për asnjë çast të merret me shkopin e lypsarit, perspektivën e hirtë, kadillakun e kojshisë…

*

Përsëritja përsëritet përsëri është varg i hidhur i Sabri Hamitit, që na rri knap e na ka hije. Motivin e tij duhet kërkuar në mënyrën se si e “mësojmë” historinë, të cilën vazhdi­misht e shfrytëzojmë për t’problematizuar të sotmen. Ja! Para hundëve tona luhen të njëjtat drama të teatrit politik, si shekuj e dekada më parë, por ne nuk u kushtojmë as një minutë vëmendje, duke rrezikuar vetëdijshëm tërë të nesërmen për to, tok me habinë: përse ngatërrohemi aq unikatshëm rrjetave të historisë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.