Dorëheqjet e ministrave të BDI-së, vetëm në letër

Dorëheqjet e pesë ministrave të Bashkimit Demokratik për Integrim mbeten vetëm në letër, pasi edhe dy ditë nga deponimi i tyre në Qeveri, ato nuk janë shqyrtuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, raporton REL. Kreu i Qeverisë maqedonase, Kovaçevski, sipas shërbimit për informim të ekzekutivit, “nga 3 gushti gjendet në pushim të shkurtër vjetor së bashku me familjen, jashtë shtetit”.

Nga Qeveria nuk japin asnjë sqarim mbi qëndrimin e tij se si do të veprojë me dorëheqjet, nëse do t’i refuzojë, apo do të dërgojë për konstatim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Dispozitat ligjore që janë në fuqi lidhur me punën e Qeverisë, kryeministrit dhe anëtarëve të ekzekutivit, nuk parashohin “dorëheqje në pritje” apo “dorëheqje të afatizuara”, siç i kanë deponuar ministrat e BDI-së.

Por, edhe sikur të dorëzohen, ato nuk mund të shqyrtohet pasi edhe deputetët ndodhen në pushim vjetor, që mund të zgjasë deri më 18 gusht, ditën kur në rend dite janë ndryshimet kushtetuese.

Pikërisht këto ndryshime ishin edhe shkas për paraqitjen e dorëheqjeve të tyre, pasi bazuar në letrën e nënshkruar thuhet se hyjnë në fuqi me mbështetjen e ndryshimit të Kushtetutës nga partia opozitare VMRO DPMNE.

Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, bazuar në “propozimin francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Sofjen për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike maqedonase.

Në rast se ato nuk miratohen, atëherë Bullgaria mundet sërish t’i bllokojë bisedimet e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, njëjtë sikurse në vitin 2020.

VMRO DPMNE-ja ka thënë se mbështet ndryshimet me kusht që ato të hyjnë në fuqi pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe nëse formohet një qeveri e zgjeruar pa BDI-në, të cilën e akuzon për korrupsion dhe krim të organizuar.

Partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, thonë se “kushtet e VMRO-së janë plotësuar dhe se ajo tani duhet t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese”.

Por, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se dorëheqjet duhet të jenë të parevokueshme dhe se zvarritja e këtij procesi bëhet për blerje kohe.

“Tani ata kanë një betejë tjetër, të kalojnë gushtin dhe të vijë shtatori. Dhe, kur të vijë vjeshta s’ka logjikë që ne të kërkojmë zgjedhje të parakohshme pasi do të mbeten vetëm edhe disa muaj deri në zgjedhjet e rregullta në pranverë”.

“Por, ata një gjë duhet ta kenë të qartë, se ndryshime kushtetuese nuk do të ketë as në gusht e as në shtator. Ata, në fakt, nuk janë të interesuar që edhe ato të bëhen pasi interesi kryesor i tyre është që këtë mandat ta shtyjnë deri në fund, që të mund të vjedhin sa më shumë”, tha Mickoski.

Lidhja Social Demokrate në pushtet (LSDM), ndërkohë vazhdon me akuzat drejtuar opozitës se është “kundër të ardhmes evropiane” dhe të një “jete më të mirë të qytetarëve” që sipas kësaj partie, mund të arrihet vetëm me integrimin në BE. Në të kundërtën, LSDM-ja thotë se vendi do të izolohet.

“Nëse vërtet kujdesen për interesat e shtetit dhe agjendën evropiane, atëherë Mickoski dhe VMRO DPMNE-ja do t’i mbështesin amendamentet e Kushtetutës. Të gjitha kushtet që kërkonte Hristijan Mickoski janë përmbushur. Tani i takon atij të dalë dhe të tregojë qartë se mbështet integrimin e vendit apo izolimin”, u shpreh deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq.

Edhe partitë opozitare shqiptare, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, dorëheqjet e ministrave të BDI-së, i quajtën “taktizime për pikë politike”. Sipas tyre, dorëheqjet janë bërë edhe për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit nga akuzat e shumta ndaj zyrtarëve të BDI-së për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar, në mesin e të cilëve është edhe kryetari i saj, Ali Ahmeti.

Kujtojmë që paraprakisht, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nëpërmjet një letre publike drejtuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ka njoftuar se kanë dhënë dorëheqje ministrat dhe funksionarët e BDI-së, por të njëjtat do të aktivizohen pasi VMRO-DPMNE-ja opozitare t’i votojë ndryshimet kushtetuese.

Pas këtij akti, VMRO-DPMNE doli me reagim duke kërkuar që dorëheqjet e ministrave të BDI-së të jenë të parevokueshme dhe më pas të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Partia opozitare konsideron se është mirë që BDI pas 20 vitesh në pushtet është gati të shkojë në opozitë dhe siç thonë ata do të mund të përgjigjen për krimin dhe të dëshmojnë pafajësinë e tyre.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.