Donacion 200 mijë euro në Tetovë: MMPT ngriti dyshime, komuna nuk jep detaje
Seancën e katërt të mbajtur më 4 dhjetor, Këshilli i Komunës së Tetovës pranoi një donacion prej rreth 200 mijë eurove nga një grup i qytetarëve. Nga Komuna e Tetovës nuk japin informata të detajuara, u arsyetuan se donacioni do të jetë për kanalizim të rrjetit atmosferik në bllokun urban 10, ndërsa nisma Më Mirë për Tetovën ka ngritur dyshime për mënyrën se si jepet ky donacion dhe se i njëjti mund të ketë prapavijë tjetër, shkruan Portalb.mk.
Seancën e kaluar, shumica në Këshillin Komunal e përbërë nga VLEN dhe VMRO-DPMNE shpejt e shpejt e votuan pikën e pestë të rendit të ditës ‘Propozim -vendim për pranimin e donacionit nga një grup i qytetarëve”.
Pavarësisht se këshilltari nga nisma e pavarur “Më Mirë për Tetovën”, Agron Arifi tentoi që merr përgjigje për shumë dilema rreth këtij donacioni, nga udhëheqësia komunale përgjigjet ishin gjysmake.
Arifi kërkoi detaje për atë se kush e jep këtë donacion, për çfarë do të përdoret dhe të tjera.
“Shuma e donacionit është e ngjashme me donacionin gjatë blerjes së parkingut të Tetovës. Kjo shuma 200 000 euro është kërkesë standarde apo rastësi”, pyeti Arifi.
Nga Sektori i Financave në Komunë, Nuredin Deari sqaroi se deri në arkivin e komunës së Tetovës ka arritur një kërkesë për donacion i cili do të jetë në instalimin e kanalizimit atmosferik në bllokun urban 10 për të cilin ka edhe projekt i cili duhet të realizohet.
“Ne do e pranojmë këtë si donacion dhe pastaj do t’i bëjmë të gjithë verifikimet çka duhet në fazën tjetër pasi të pranojmë… Bisedohet për interes të përgjithshëm dhe interes publik, të dhjetë donatorët janë banorë të lagjes bllloku 10 i cili plan urbanistik është miratuar nga këshilli paraprak i komunës, donacioni është si shenjë mirënjohje për procedurat të cilat këshilli dhe kryetari i ka ecur që të mund ata banorë të ndërtojnë me leje, asnjë nga ata nuk është detyruar. Sot do e kalojmë këtë, seancat e radhës kur do doni ju do tu japim sqarim çka do të investohen dhe në çfarë zone do jetë projekti ku është bërë”, tha Deari.
Megjithatë, nga Sektori i Financave nuk patën përgjigje për të gjitha pyetjet dhe sqarimet e kërkuara.
“Personi në fjalë, më vjen keq por profesionalisht nuk ka qenë i përgatitur profesionalisht për këtë seancë ndoshta për shkak se ju vetëm tre ditë para i keni dorëzuar materialet, nuk ka pasur edhe ai hapsirë, herën tjetër të keni kujdes, dorëzoni materialet me kohë që ai të del i përgatitur për pyetjet tona të na jep përgjigje, jo të na thotë seancën tjetër do ju japim sqarime a për këtë pikë të rendit të ditës vetëm u votua u kalua, shumë qasje joprofesionale”, tha këshilltari Agron Arifi.
Sqarime për këtë donacion nuk japin as nga Komuna e Tetovës, Portalb.mk dorëzoi disa pyetje lidhur me këtë donacion, por nga ky institucion nuk u përgjigjën. Madje, javëve të fundit Komuna e Tetovës nuk është përgjigjur as në pyetjet gazetareske për tema tjera të cilat i dorëzoi redaksia e Portalb.mk.
Kujtojmë se pak muaj më parë, Këshilli i Komunës së Tetovës votoi “për” pranimin një donacioni prej 800 mijë eurove nga një kompani me prejardhje serbe, me qëllim për rikonstruimin e objekteve të Gjimnazit të Tetovës. Ky donacion u kritikua në masë të madhe nga sektori civil dhe partitë politike.
Donacioni nga kompani me perjardhje serbe për rikonstruimin e dy objekteve të vjetra të gjimnazit të Tetovës u përcoll me polemika se është marrëveshje e fshehtë për ndërtimin e kishës në Tetovë. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe deputeti i VLEN, Bekim Qoku, ndërsa më pas kërkoi falje se ka bërë gabim.
- LEXO: Qoku e demantoi Kasamin pastaj e demantoi veten, donacioni serb për gjimnazin apo plan i fshehtë për të ndërtuar kishë në Tetovë?
- LEXO: HUTA: Më shumë transparencë në lidhje me donacionin serb prej 800 mijë euro në Tetovë
- LEXO: Opozita shqiptare: Mickoski e ndërpreu sërish Kasamin, tentohet të fshihet ndikimi i “botës serbe” në jetën institucionale të vendit