Dita e Mbretit të Holandës në Tetovë, fokusi te të rinjtë dhe fuqizimi i grave në tregun e punës
Në Tetovë u shënua Dita e Mbretit të Holandës përmes një aktiviteti që tejkaloi simbolikën festive, duke sjellë në qendër të vëmendjes të rinjtë, barazinë gjinore dhe orientimin drejt profesioneve të mirëpaguara, raporton Portalb.mk.
Në hapje të aktivitetit u theksua se kjo ditë përfaqëson vlera që Holanda ka ndërtuar ndër vite, si barazia, mundësitë e barabarta dhe investimi në rininë.
Këto parime u reflektuan edhe në vetë organizimin e diskutimit, i cili mblodhi përfaqësues institucionesh, universitete, biznesesh dhe të rinj, për të trajtuar sfidat reale në ndërtimin e karrierës.
E pranishme në këtë aktivitet ishte Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, Ozlem Canel, e cila ndau përvoja dhe qasje nga vendi i saj lidhur me avancimin e barazisë gjinore dhe krijimin e mundësive për gratë në tregun e punës.
Ambasadorja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, ekonomik dhe rolin e shoqërisë civile të cilët përmes punës së përbashkët mund të sjellin rezultate konkrete në terren.
Diskutimi me temë “Të përballosh sfidat në karrierë – veçanërisht për gratë, dhe zgjedhja e profesioneve të mirëpaguara” solli perspektiva të ndryshme nga panelistë dhe pjesëmarrës.
Drejtoresha Ekzekutive e Institutit për Lidership dhe Politika Publike (ILPP), Pranvera Kasami, ndau përvojat nga puna e drejtpërdrejtë me të rinjtë, duke theksuar nevojën për orientim më praktik dhe përgatitje më të mirë për kërkesat reale të tregut të punës.
Përfaqësues të universiteteve ngritën çështjen e hendekut mes arsimit formal dhe nevojave të tregut, ndërsa përfaqësues nga sektori privat theksuan rëndësinë e aftësive praktike dhe gatishmërisë për punë.

Nga ana tjetër, vetë të rinjtë ndanë histori personale që dëshmuan se përfshirja në programe si “NextGen Career Up” mund të jetë një pikë kthese drejt një karriere të suksesshme.
Një theks i veçantë iu dha sfidave me të cilat përballen vajzat dhe gratë në zgjedhjen e profesioneve, veçanërisht në fusha që tradicionalisht dominohen nga burrat, si teknologjia dhe sektorët teknikë.
Panelistët nënvizuan se përveç aftësive profesionale, pengesat shpesh janë edhe të natyrës sociale dhe psikologjike, duke kërkuar mbështetje më të madhe institucionale dhe mentorim.
Në përmbyllje u theksua se investimi në rininë, veçanërisht në vajza dhe gra, nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri për një shoqëri më të barabartë dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ngjarja u organizua nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike (ILPP), në kuadër të programit “NextGen Career Up”, i cili synon të lidhë të rinjtë me tregun e punës dhe mundësi konkrete zhvillimi, ndërsa diskutimi u moderua nga gazetari i Portalb.mk – Fisnik Xhelili.
Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.