Dita Botërore e Librit: të kujtojmë forcën e fjalës së shkruar
Dita Botërore e Librit, e cila kremtohet më 23 prill, është një festë globale që na kujton rëndësinë e leximit, forcën e fjalës së shkruar dhe ndikimin e pashtershëm që librat kanë në jetët tona. Në vitin 1988 UNESCO promovoi për herë të parë kremtimin e kësaj dite simbolike për letërsinë botërore, ndërsa nga ajo ditë gjithkund në botë institucione të ndryshme kremtojë këtë ditë, shkruan Portalb.mk.
Ideja për Ditën Botërore të Librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor të një kombi.
Shkrimtarja Nurie Emrullai për Portalb.mk tha se sa më shumë ditë të ketë për librin, aq më shumë bëhet pjesë e përditshmërisë sonë.
“Libri është forcë. Andaj është mirë që gjithmonë t’i mbajmë sytë nga libri dhe për librin. Sa më shumë ditë të ketë për të, aq më shumë bëhet pjesë e përditshmërisë sonë. Libri nuk është festë, por kur vijnë ditët e veçanta për të, bëhet dhe më i afërt dhe këtë ditë kemi mundësi të flasim për librin, shkrimtarët, të drejtën e autorit. Është një lloj vetëdije e një hap më pranë kulturës dhe qytetërimit”, tha Emrullai.
Me rastin e Ditës Botërore të librit, Emrullai përcjell mesazhin e saj për gjithë artdashësit e fjalës së shkruar.
“Do të kisha dashur që libri shpesh herë të ishte njëra prej arsyeve kryesore që të na afronte me njëri-tjetrin, një kafe që do e pimë bashkë të jetë shkaku i një libri që të ndajmë përshtypjet bashkë, një grup shoqëror të mblidhej që të shkonte diku në promovim të ndonjë libri. Do të doja që libri në çantën e çdokujt të jetë sendi që nuk bën të mungojë… vendi afër televizorit gjigand të jetë i mbushur me libra. Libri të ishte dhurata e festave dhe e ngushëllimeve, kështu njeriu do të ndjehej më pak vetëm dhe më shumë pjesë e pashmangshme dhe e bukur e botës. Duhet që lexuesit të jenë më të zëshëm dhe më këmbëngulës për t’i treguar dhe atij tjetrit botën e pafundme të librit”, tha Emrullai.
Mos të kujtojmë se do të shpëtojmë nga librat si thotë dhe Umberto Eko, thotë ajo.
“Libri ka po të njëjtën vlerë, vetëm se unë mendoj se e gjitha varet si e trajtojmë ne. Gjithmonë kanë qenë këto dallimet e mëdha midis qytetrimeve me dhe pa libra. Po mendoj se kultura e librit është diçka që mësohet, që duhet ta ofrosh, që duhet të dish ta nxjerrësh më të mirën… Shoqëria jonë ka nevojë për kulturë leximi dhe trajtimi me librin, duhet të mësohemi si ta trajtojmë atë dhe si t’i qasemi”, Emrullai.

Emrullai gjithashtu deklaroi se librat luajnë një rol të veçantë në edukimin dhe zhvillimin kulturorë të shoqërisë.
“Librat duhet të luajnë dhe të kenë rolin kyç në jetën tonë shoqërore. Kurrë nuk bëhet i barabartë një personazh rrjetesh sociale me një personazh të Daniel Defosë (meqë këtu janë fëmijët që ndikohen të parit). Andaj sa më afër librit aq më pranë të vërtetës, sa më pranë rrjeteve sociale aq më afër iluzioneve dhe gënjeshtrave. Librat janë rruga drejt lirisë, drejt njohjes së vetes dhe të tjerëve, janë shpikës misteresh e zbulues të tyre. Një jetë pa libra do të ishte një vdekje e parakohshme e fëmijës brenda nesh, madje kurrë s’do të mbanim mend që kemi qenë fëmijë”, Emrullai.
Emrullai deklaroi se libri te ne ka ka filluar që të shënohet viteve të fundit, por tani më po shënohet më me seriozitet.
“Mendoj se dita e librit te ne ka filluar vitet e fundit që të shënohet, por tashmë po shënohet më me seriozitet, çdo vit e më me detaje e më mirë. Të paktën kjo ditë të jetë ogur i mbarë për lexuesit e rinj e për shkrimtarët përgjithësisht. Duhet që t’ju japim rëndësi brezave të rinj, shkrimtarëve që dikur ishin zanafilla e letërsisë shqipe, duhet të jemi më autentikë, duhet ta duam shkronjën si shenjt”, Emrullai.
Dita Botërore e Librit është një thirrje për të gjithë ne, që të nderojmë autorët, përkthyesit, botuesit, librarët, bibliotekarët-të gjithë ata që me punën e tyre të palodhur bëjnë të mundur që fjala e shkruar të arrijë te lexuesi. Është një ditë për të përkujtuar edhe ata autorë të mëdhenj që kanë ndikuar në historinë e letërsisë, shumë prej të cilëve kanë ndërruar jetë pikërisht më 23 prill, si Miguel de Cervantes dhe William Shakespeare.