Dimitrievski porosi kumanovarëve: Ujin që e shfrytëzoni për pije, duhet ta vloni

Kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitreivski njofton se rreth 80 për qind e amvisërive tashmë po furnizohen me ujë në Kumanovë pas defektit nga vërshimet e fundit, përcjell TV21. Dimitreivski thotë se ende nuk ka konstatim zyrtar nëse i njëjti është i sigurt për pije, rrjedhimisht, rekomandon që uji para se të pihet ose të përdoret për ushqim, të vlohet.

“Mbi 80% e amvisërive në qytet tashmë pa ndërprerje marrin ujë nga rrjeti i N.P. “Ujësjellësi” Kumanovë. Në pesë orët e ardhshme, ujësjellësi do të funksionojë plotësisht dhe do të furnizohen me ujë të gjitha amvisëritë e qytetit që janë të lidhura në rrjet. Vërejtje: Deri në momentin e konfirmimit zyrtar nga “Instituti për Mbrojtje Shëndetësore” në Kumanovë, ky ujë trajtohet si teknik dhe nëse përdoret për ushqim është e nevojshme që të vlohet si masë preventive”, shkruan mes tjerash Dimitrievski.

Edhe Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) paralajmëroi më 22 maj se uji nga ujësjellësi i Kumanovës nuk duhet të përdoret për pije.

Shpërndarja e ujit përmes sistemit të transmetimit në qytet është ndërprerë dhe kjo situatë do të zgjasë deri në tejkalimin e plotë të saj, pra derisa autoritetet të konfirmojnë se uji është i pijshëm.

“Njëkohësisht Komuna e Kumanovës është njoftuar për veprime të mëtutjeshme, në drejtim të ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve për tejkalimin e situatës në interes të qytetarëve dhe për momentin është vendosur komunikim me mediat me qëllim t informimit të qytetarëve nga Kumanova”, thanë nga QMK.

Kujtojmë se më 22 maj në disa rajone të vendit ka pasur reshje të dendura të shiut.