Deri të dielën e hapur mundësia për të aplikuar për bursa në shkollat e mesme në Qytetin e Shkupit

Nxënësit me nevoja të veçanta nga shkollat e mesme në Qytetin e Shkupit, deri më 27 tetor do të mund të aplikojnë për bursa në vlerë prej 3 mijë denarë, transmeton Portalb.mk.

“Nxënësve me aftësi të kufizuara nga shkollat e mesme të Qytetit të Shkupit do t’u ndahen bursa në bazë të kushteve dhe kritereve të përcaktuara me Rregulloren për mënyrën, kushtet dhe procedurën e ndarjes së bursave për nxënësit e shkollave të mesme me aftësi të kufizuara, nxënës në shkollat e mesme të Qytetit të Shkupit”, thuhet në Thirrjen publike për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme me aftësi të kufizuara, nxënës në shkollat e mesme te qytetit të Shkupit për vitin 2024/25.

Nxënësit duhet të jenë me aftësi të kufizuara, shtetas të RMV-së, banorë të Shkupit, të rregullt në shkollat e mesme të Shkupit dhe të kenë suksese së paku 3, të mos jenë përfitues të bursave tjera dhe të mos kenë përsëritur vitin shkollor.

“Vlera e bursës që ndahet nga Qyteti i Shkupit për nxënësit e shkollave të mesme me aftësi të kufizuara, nxënës në shkollat e mesme të Qytetit të Shkupit është 3.000 denarë në muaj (vlera neto) në kohëzgjatje prej 9 muajsh dhe i referohet vitit shkollor 2024/2025. Obligimi për llogaritjen dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat personale i takon Qytetit të Shkupit”, theksohet në Konkurs.

Në Thirrje sqarohet që aplikimi duhet të dorëzohet në Arkivin e Qytetit të Shkupit (baraka 16) deri më 27 tetor në ora 19:00.