Sulm vdekjeprurës në selinë e kompanisë turke të aviacionit

Tre persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën në një sulm me armë në selinë e kompanisë turke të aviacionit (TUSAS) pranë Ankarasë, njoftoi kryetari i bashkisë së provincës Kahramankazan, Selim Cirpanogly për kanalin televiziv turk Tele1, raporton Zëri i Amerikës.

Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya tha në rrjetin social X se “një sulm terorrist u krye ndaj objekteve të TUSAS në Kahramankazan, Ankara. Fatkeqësisht kemi të vdekur dhe të lënduar”.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë hollësi mbi motivet dhe autorët e sulmit, por disa media pretendojnë se ky është një sulm vetëvrasës. TUSAS është një nga kompanitë më të rëndësishme të mbrojtjes dhe aviacionit të Turqisë. Ajo është prodhuesja e avionit të parë luftarak të Turqisë ‘KAAN’, krahas prodhimeve të tjera.