Dënime deri 250 euro nëse në fushatën parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut shënohen mbishkrime me përmbajtje fyese

Policia e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar qytetarët që të kenë kujdes me mbishkrimet në kohën e fushatës parazgjedhore, pasi për veprime të tilla janë paralajmëruar dënime, transmeton Portalb.mk.

“Shkrimi i grafiteve dhe veçanërisht grafiteve me përmbajtje vulgare dhe fyese në vende dhe objekte publike është kundër Ligji për Pastërti Publike, si dhe ngjitje arbitrare të posterave në vende të pacaktuara për këtë qëllim. Gjithashtu, në varësi të llojit dhe shkallës së dëmtimit të objektit, paraqet edhe kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike (neni 27), për të cilën është paraparë gjobë prej 100 deri në 250 euro në kundërvlerë të denarit”, njoftoi Policia.

Në rast se mbishkrimet nxitin urrejtje, përçarje dhe jotolerancë të çdo natyre, autorët do të dënohen për vepër penale bazuar në nenin 319 nga Kodi Penal.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit Jovan Mitreski më 14 shkurt zyrtarisht ka shpallur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024.  Zgjedhjet e shtata presidenciale, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj. Nëse do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Me shpalljen e Zgjedhjeve Parlamentare dhe Presidenciale, filloi periudha e veprimit të Trupit koordinues për monitorimin e respektimit të Kodit të sjelljes në hapësirën online gjatë proceseve zgjedhore dhe referendumeve. Organi koordinues do të veprojë për ankesat për shkelje të mundshme të Kodit nga partitë politike, kandidatët e tyre, kandidatët e pavarur, edicionet në internet të radiodifuzerëve, mediat online, kontrolluesit e fakteve, influencuesit dhe subjektet e tjera që mund të kryejn ndikim mbi publikun në funksion të fushatës gjatë zgjedhjeve ose referendumeve.