“Çifti i hapur”, sprovë e papërballueshme bashkëshortore”

( Vështrim kritik nga Vebi Bexheti për dramën “Çifti i hapur”, të shfaqur natën e tretë të Fetivalit të Tetovës, me regji të Sulejman Rushiti)

Festivali i sivjetshëm i Teatrit të Tetovës, edhe pse jo me shumë trupa pjesëmarrëse, me pjesët teatrore të shfaqura, e arriti qëllimin duke realizuar me sukses disa shfaqje me autorë të njohur, ndër të cilët edhe nobelisti italian, Dario Fo (1926-2016), shkrimtar, satirist, aktor, kompozitor, regjisor, dhe drejtues teatri, i përfaqësuar me komedinë “Çifti i hapur”. Një përmasë e këtillë intelektuale e këtij personaliteti, që gjithsesi u shqua edhe në krijimtarinë teatrore, si autorë i shumë dramave me tema nga më të ndryshmet, të frymëzuara nga autorë të vjetër italianë, por që ishin aktuale edhe për kohën kur jetoi, madje me interes edhe për kohën e sotme.

Aktiviteti politik i këtij autori, krahas një veprimtarie letrare aq të gjithanshme, gjithsesi është pjesë e formimit të tij si personalitet, që përveç tjerash reflektohet edhe në këtë dramë satirike, kur edhe përmendet nga kryepersonazhi i shfaqjes, si preokupim i tij, që krahas problemeve tjera, i kanë ftohur marrëdhëniet mes këtij çifti bashkëshortor, mbase futja e këtij elementi mund të jetë edhe regjisoriale, kur dihet politizimi i skajshëm në familjet e kohës së sotme, pavarësisht se kjo vepër u shkrua shumë më herët, që në vitin 1983, e me titull “Çifti i hapur, gati i shqyer”, që në përkthimin shqip mbeti vetëm “Çifti i hapur”. Sipas brendisë së kësaj vepre dramatike, varianti i titullit nga autori, do ishte më i përshtatshëm, sepse raportet aq të acaruara të këtij çifti bashkëshortor, duken më shumë se të hapura, madje të shqyera, me kuptimin e hapjes ekstreme.

Drama “Çifti i hapur”. Foto e marrë nga profili në Facebook i Vebi Bexhetit
Drama “Çifti i hapur”. Foto e marrë nga profili në Facebook i Vebi Bexhetit

Sidoqoftë, kjo komedi, që njihet me dy autorë bashbkëshortë; Dario Fo dhe Franca Rame e vënë në skenën e Teatrit të Tetovës, si pjesëmarrëse e Festivalit tradicional të këtij qyteti artëdashës, ishte befasi e këndshme për të pranishmit në sallë, e veçmas qasja risimtare regjisoriale e Sulejman Rushitit dhe prurjet e reja të tij, që këtë shfaqje me tëmë tabu për mjedisin tonë, ta paraqes para një publiku me mentalitet ndryshe nga komuniteti të cilit i takon autori (autorët), madje në një kohë shumë të largët.

Përmes kësaj shfaqjeje, ku ballafaqohen feminizmi dhe maskulizmi, dy tabore të dy gjinive, që mbrojnë të drejtat e komunitetit të tyre, në mënyrën se si ata mendojnë, e vërteta del në shesh, që është epërsia e mashkullit bashkëshort, që tradicionalisht mendon se aventurat përmes lidhjeve jashtamartesore, dhe shumë veprime tjera, janë e drejtë ekskluzive dhe se gruaja duhet të jetë pronë e tij, t’i bindet gjithmonë burrit, t’i durojë ofendimet deri në injorim të plotë të raporteve burrë e grua, dhe të bëjë ashtu si thotë ai, sepse qenka ai që lufton, ai që drejton familjen, madje që drejton edhe botën. Kjo e drejtë ekskluzive, që burri ia jep vetes, që në thelb është maskulizëm radikal gjithsesi e nxit edhe radikalizmin feminist, për qëllime hakmarrëse. Ky fenomen me rrënjë të thella në historinë e familjes patriarkale i motovoi edhe autorët bashkëshortë, të kësaj komedie me plot elemente satirike që këtë epërsi jo të ligjshme të burrit ta demaskojë deri në masën e një përfundimi tragjik, kur bindet se edhe bashkëshortja, në momentin pasi shteren të gjitha mundësitë për ta ruajtur rehatinë bashkëshortore dhe familjare, është e detyruar t’i jepet mënyrës së shfrenuar të jetës, ashtu siç vepronte burri i ligjshëm i saj, moment ky, aspak i pranueshëm për egoizmin e tij.

Drama “Çifti i hapur”. Foto e marrë nga profili në Facebook i Vebi Bexhetit
Drama “Çifti i hapur”. Foto e marrë nga profili në Facebook i Vebi Bexhetit

Përzgjedhja e kësaj vepre dramaturgjike për ta vënë në shkenë para një publiku në masë jo edhe të vogël patriarkale, siç është ai tetovar, e regjisorit, tanimë me përvojë të madhe, profesorit të UT-së, Sulejman Rushiti, mendoj se është ndërmarrje e drejtë dhe guximshme pak sa edhe provokative do thoja, që përveç vlerave artistike dramaturgjike, kishte për qëllim edhe ballafaqimin mes dy gjinive të të pranishmëve në sallë, duke sjellë para tyre veprimet jokorrekte mes bashkëshortësh, që e prishin harmoninë familjare e që shpeshherë mbarojnë me shpërbërje të jetës bashkëshortore. Në tërë këtë gjendje haotike familjare, ata që më së shumti humbin, janë fëmijët e pafajshëm që shumë shtrenjtë i paguajnë gabimet deri në ekstrem të prindërve të tyre, e në këtë rast të babait “Don zhuan”, i cili e konsideronte krejt normale praninë e dashnoreve shumë më reja në shtëpinë e tij, edhe në praninë e bashkëshortes.

Këtë ngarkesë shpirtërore dhe shkelje brutale të dinjitetit të gruas, nuk mund ta durojë as edhe djali i vetëm i dy prindërve, kur nënës i propozon që edhe ajo të gjejë një dashnor, me të cilin do çonte një jetë më të rehatshme. Ajo edhe do veprojë ashtu mbasi iu shterën të gjitha mundësitë ta kthejë rehatinë familjare. Duke mos pasur rrugëdalje tjetër, madje edhe vetëvrasjen si opsion, që megjithatë nuk gjeti forcë ta realizojë, u detyrua të veprojë ndryshe, fillimisht duke sajuar raste kinse ka gjetur dashnor, për ta vënë në sprovë burrin, i cili vështirë se mund ta përjetojë një gjë të tillë, për tu lidhur më vonë me një burrë, gjë që bashkëshorti i saj ende nuk e besonte deri në momentin kur ai erdhi në shtëpinë e përbashkët të këtij çifti bashkëshortorë.

I tërë zhvillimi i ngjarjes, sipas kësaj komedie, kuptohet edhe me ndërhyrjet e nevojshme dhe të arsyeshme të regjisorit, dhe idesë së tij, që shfaqja të realizohet në bashkëpunim me Teatrin “Aleksandër Mojsiu”, të Durrësit dhe Teatrit të Gostivarit, barra e tërë lojës skenike u mbeti aktorëve shumë të njohur, madje me përvojë të gjatë, bashkëshortëve në jetë dhe në këtë rast, në skenë: Romir Zalla (aktori njohur i serialit humoristik ”Portokalli”) dhe Suela Bako. Si për koincidencë, kjo vepër dramatike, e krijuar nga dy autorë bashkëshortë, edhe u realizua nga çifti real bashkëshortorë, që me lojën e tyre skenike shkëlqyen para publikut tetovar. Ideja për një ndërmarrje të këtillë e regjisorit Rushiti, që shfaqja të realizohet nga aktorë të një teatri nga Durrësi dhe atij nga Gostivari, është një përvojë e mirë bashkëpunimi, që duhet vazhduar edhe në të ardhmen, sepse përvoja e aktorëve nga Shqipëria vjen nga një traditë shumë e hershme teatrore, në krahasim me teatrot kombëtare të kësaj hapësire shqiptare, që përveç atij të Shkupit, ende janë në fazën e konsolidimit.

Zgjedhja e dy kryepersonazheve, Romirit dhe Suelës, që përmes dialogut me plot momente dramatike, e realizuan me sukses këtë shfaqje, nuk ishte e rastit për regjisorin Sulejman Rushitin, që vjen nga shkolla teatrore e Tiranës, nga ku solli përvoja si në përzgjedhjen e dramave, aktorëve, mënyrën e qasjes regjisoriale, ashtu dhe në përvojën e teatrit eksperimental, që në këtë shfaqje ishte mjaftë i theksuar.

Përmes dialogut konfliktuoz të dy persopnazheve, që zgjati aq sa edhe vet shfaqja, dhe luftës së brendshme, bazuar në interesa të kundërta të pikëpamjeve për jetën bashkëshortore, aventurat, shfrenimet dhe tradhëtitë, si shkak i shthurjes së një familjeje të shëndoshë, kuptohet e tërë rrjedha e asaj çka po ndodh në atë familje. Këto debate me plot tensione verbale, mes dy bashkëshortëve, karakterizohen me pamje trishtuese të fytyrës, ngritjes së zërit, nervozizmit kulmor me njëri-tjetrin dhe shumë gjesteve tjera me lëvizje të pjesëve trupore, si reflektim i mosdurmit të ndërsjellë. Tërë këto veprime fizike dhe çoroditje verbale, që gjatë gjithë kohës, të pranishmit në sallë i mbajtën nën ethet se si do jetë epilogu i këtij dialogu, mbarojnë me shthurjen e tërë këtijq lëmshi, kur kjo bashkësi familjare shpërbëhet. I tërë ky interpretim i shkëlqyeshëm i aktorëve Romir Zalla dhe Suela Bako, e dëshmuan profesionalizmin, përvojën e gjatë në skenat teatrore, ndjenjën dhe përjetimin e ngjarjes në skenë, ku nuk mungoi humori, satira, pikëllimi dhe ndjenjat njerëzore, deri në kanosje për jetën mes njëri-tjetrit. E gjithë kjo rrëmujë konflikti përmes këtij dialogu u zhvillua më një gjuhë të pastër shqipe, të kuptueshme për të gjithë, përmes së cilës doli i qartë edhe mesazhi kësaj shfaqjeje, që për ta ruajtur mirëqenien familjare, nevoitet sakrificë e dyanshme e një çifti bashkëshortor, respekti i ndërsjell dhe dashuri pa interes për njëri tjetrin.

Drama “Çifti i hapur”. Foto e marrë nga profili në Facebook i Vebi Bexhetit
Drama “Çifti i hapur”. Foto e marrë nga profili në Facebook i Vebi Bexhetit

Përveç dy kryepersonazheve, barës të ngjarjes kryesore, Romir Zallës, në rolin e një kontabilisti, që i është dhënë jetës së shfrenuar dhe gruas së tij, Suelës, në rolin e Antonias, që luftoi aq sa mundi ta ruajë familjen, por pa sukses, meritë në realizimin e suksesshëm të shfaqjes kanë edhe personazhet me role dytësore, si: Ismail Omer, Elizabeta Mlladenovska dhe Zurijet Sulejmani, që me rolet e tyre ndërtonin hallkat e zinxhirit të ngjarjes kryesore.

Ashtu si çdo regjisor, që për qëllim ka realizimin sa më të suksesshëm të shfaqjes, edhe në këtë rast, regjisori vjen me mënyrën e tij të punës, duke i përdor teknikat dhe stilin që e karakterizon atë, e duke depërtuar në gjendjen shpirtërore të aktorëve me qëllim të realizimit të karaktereve të tyre, që do i përgjigjen personazhit të veprës dramatike. Se sa një vepër e realizuar përmes shfaqjes do jetë jetëgjatë, varet nga autori, regjisori aktorët dhe një sërë elementesh teknike, që krijojnë kushte për realizim sa më cilësor, e në përputhje me kërkesat e hapësirës skenike, kushte këto që nuk i munguan “Ciftit të hapur”, me regjisor Sulejman Rushitin.

Skenografia ishte gjithashtu në harmoni me kërkesat e lojës skenike, edhe pse e thjeshtë dhe pa ngarkesa, karakteristikë e shfaqjes moderne.

Skenografit Besar Elezit iu desht pak punë për ta konceptuar pamjen e hapësirës, ku do zhvillohej shfaqja. I tërë ky zhvillim u realizua pa ndonjë ngarkesë me pajisje teatrore dhe dekorim të theksuar. Me këtë rast mjatuan vetëm disa elemente për ta krijuar një banesë familjare; një krevat çifti bashkëshortor, disa ulëse të imoprovizuara, një dritare, dhe një derë, që vet aktorët i lëviznin sipas nevojës. Këto pajisje ishin të mjaftueshme për të krijuar mjediset, e banesës, ku do realizohej zbërthimi dramatik i veprës sipas konceptit të regjisorit. Qasja moderne e ndërtimit të skenës, gjithsesi është në harmoni me kërkesën e regjisorit, i cili është në kërkim të një mënyre të re të shfaqjes teatrore. Muzika, gjithashtu pak e pranishme, nën kujdesin e Teuta Hlimit, ku spikat zëri i kitarës, luajtur nga Besmir Guma, ishte mjaftueshëm e pranishme në skenë. Përveç aktorëve, si bartës të zhvillimeve skenike, risi ishte edhe prania e kitaristit, dhe ndonjë tjetëri, me të cilët në disa raste, për çështje jashta kontekstuale, komunikonin edhe personazhet kryesorë. Risi tjetër që regjisori e solli në këtë shfaqje, ishin edhe momentet kur aktorët dilnin jashta kornizës së lojës dhe komunikomin për çështje teknike, bie fjala se ku do vendoset dritarja e vetme e banesës apo dera, pozita këto që në momente të caktuara do i përgjigjeshin zhvillimit të lojës.

Edhe kostumet e aktorëve ishin në harmoni me rolet e personazheve. Ashtu si zakonisht, aktoret femra, siç në këtë rast ishte roli i bashkëshortes, në skenë paraqiten me më shumë lloj veshjesh, varësisht nga karakteri e sjellja e saj në momente të caktuara. Kostumet e personazhes Antonia, bashkë me aksesorë shoqërues, që ndryshonin sipas ndërrimit të karakterit, fillimisht si një grua me veshje, karakteristike për qëndrim ditor shtëpiak , e më vonë me pamje të një femëre bordelesh me flokë ngjyrë të zjarrtë, i përgjigjen plotësisht transformimit të karakterit të saj, që vjen si reakcion i injorimit të bashkëshortit aventurier. Me gjithë rastet e shumta të lidhjeve dashurore, paraqitjet në skenë ishin brenda suazave normale, pa ndonjë banalitet, gjë që vlen edhe për kostumet, që gjithashtu ishin brenda kufijve të pranueshëm për një mentalitet, siç është ky i publikut tonë.

Shfaqja e natës së dytë e Festivalit Ndërkombëtar të Tetovës “Çifti i hapur”, me autorët; nobelistin Dario Fo dhe Franca Rame, e me regji të Sulejman Rushitit, ishte befasi e këndshme për publikun tetovar dhe jo vetëm. Loja e shkëlqyeshme skenike e shoqëruar me një sërë elementesh performative, teknike, e motivim karakteresh për veprime sipas veprës dramatike e konceptimit regjisorial, e solli suksesin e padiskutueshëm para adhuruesve të artit dramatik, aq të motivuar të këtij festivali, tanimë tradicional të Teatrit të Tetovës.