U shkarkua Shkodran Tolaj nga pozita e drejtorit, ai paralajmëroi ankesë pasi e vlerësoi si të kundërligjshme
Shkodran Tolaj ka reaguar në lidhje me shkarkimin e tij nga pozita e Drejtorit të Ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve popullore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke e fajësuar zëvendësministrin e kulturës, Sedat Sulejmanin, transmeton Portalb.mk.
“Krenar dhe ballëlart sot e përgjithmonë për gjithçka që ndërtuam së bashku me qindra bashkëpunëtorë të cilët i falenderoj nga zemra! Deri në triumfin kundrejt maskaradës së zëvendësministrit Sedat Sulejmani me shokë, inspektorit Zoran Markozanov dhe vendimeve të ministrit të kulturës Zoran Lutkov, mirë u pafshim!”, ka deklaruar Tolaj.
Shkarkimin e tij e ka vlerësuar si pushtim i kundërligjshëm i “kalasë së fundit të kulturës shqiptare në RMV” nga puthadorët. Ai ka paralajmëruar ankimimin e këtij vendimi në institucione kompetence, ndërsa Alsat raportoi që në këtë institucion tashmë është caktuar Ushtruesi i Detyrës në këtë pozitë.
“Sot nuk do shkruaj për punën dhe sukseset e panumërta të ansamblit shqiptar sepse na duhen ditë të tëra për një rezyme! Puna dhe veprat flasin vet dhe për to do flasë më së miri koha!”, deklaroi Tolaj për punën e tij.
Kujtojmë që mbi 30 artistë të Ansamblit për disa muaj kishin mbetur pa punë për shkak se nuk u janë vazhduar kontratat e punës. Ata përmes një pres konference akuzuan drejtorin Shkodran Tolaj për presione të ndryshme. Por, Tolaj i mohoi këto akuza.
Ndryshe, Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut është themeluar në mbledhjen e 57-të të Qeverisë më 6 mars 2018 si institucion kombëtar i kulturës shqiptare.
- LEXO: Lutkov: Artistët e Ansamblit Shqiptar së shpejti në punë, MF dha pëlqim për punësime
- LEXO: Zëvendësministri i Kulturës propozoi ndryshim ligjor që do të rregullojë statusin e 34 artistëve të Ansamblit shqiptar në RMV
- LEXO: Punonjësit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve thonë se nuk kanë qenë të njoftuar për largimin: Përballemi edhe me presione
- LEXO: Reagoi Ansambli rreth largimit të 34 artistëve nga puna, zëvendësministri Sulejmani premtoi zgjidhje
- LEXO: Pas reagimeve të disa artistëve për largimin e 34 punëtorëve, Ansambli i këngëve dhe valleve shqipe në RMV fajin ia hodhi Qeverisë