Çifti bashkëshortor u ndalua në Tabanoc, në çantën e tyre u gjetën 26 copë stoli ari
Është parandaluar një tentativë për kontrabandimin e 348 gramëve stoli ari, me vlerë prej rreth 1,3 milionë denarësh, gjatë hyrjes në vend në pikën kufitare Tabanoc, njoftoi Drejtoria e Doganave, transmeton Portalb.mk.
Rasti u zbulua gjatë një kontrolli të detajuar të një automjeti me të cilin udhëtonte një çift bashkëshortor, shtetas të Maqedonisë së Veriut me vendbanim në Belgjikë.
“Në çantën e bashkëshortes u gjetën 26 copë stoli ari”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Doganave.
Ndaj saj, Departamenti i Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime ka ngritur kallëzim penal për veprën penale kontrabandë, e dënueshme sipas Kodit Penal.
Nga fillimi i këtij viti, sipas Drejtorisë së Doganave, janë zbuluar 13 raste të kontrabandës së arit, gjatë të cilave janë konfiskuar mbi 2,5 kilogramë stoli ari dhe monedha ari.