Çerek shekulli nga Marrëveshja e Ohrit, jetësimi i saj pati zvarritje dhe partizim çmendës!

Shumë ekspertë të brendshëm e të jashtëm të sigurisë rajonale, vitin 2001 e patën vlerësuar si një sfidë serioze për paqen dhe sigurinë në Maqedoni, por edhe në mbar rajonin ballkanik. Vlerësohet se është bë fjalë për një nga momentet kritike në historinë e rajonit, kur situata mund të kishte shkuar në një drejtim tjetër dhe të ndikonte në jetën dhe ardhmërinë e qindra, mijëra apo ndoshta miliona njerëzve. Në fakt, asaj kohe Maqedonia u përball me një sfidë tejet të ndjeshme për të zgjedhur midis luftës dhe paqes.

Analizuesit neutral, janë të mendimit se konfliktin e vitin 2001 në Maqedoni, duhet trajtuar nga të gjitha rrethanat reale e objektive lidhur me faktorët e atëhershëm të shtetit, faktorët e atëhershëm politik shqiptar e maqedonas, por edhe atij ndërkombëtar. Që të japim një përgjigje të qëndrueshme dhe objektive për atë që ndodhi në atë vit, domosdo duhet të mënjanojmë faktorin emocional nga cilado qoftë palë e involvuar në konflikt..

E njohur është se pas pavarësimit të shtetit këtu, vite me radhë politika maqedonase sikur me kokëfortësi ngulte këmbë në vazhdimësinë e filozofisë monoetnike të shtetit dhe shoqërisë si tërësi, me vetëm disa ndryshime simbolike për të “drejtat e pakicave konform konventave ndërkombëtare”, që realisht ishte shkelje serioze mbi konceptin e të drejtës ndërkombëtare mbi të “drejtat e fituara” të shqiptarëve paraprakisht nga legjislatura e Jugosllavisë socialiste. Ideologjia nacionaliste që ishte vazhdimisht në eruptim të sipër, barazinë natyrore me popullin shqiptar sikur e perceptonte me një logjikë të çuditshme të shtetit nacional monoetnik! Kurse politikanët dhe udhëheqësit e shtetit të asaj kohe në vazhdimësi aktronin se janë të pafuqishëm nga valët e mëdha të urrejtjes ekzistuese, të cilat në çdo segment insistonin që shqiptarët të trajtohen si element i huaj, i padëshiruar, madje edhe i rrezikshëm për shtetin.

Mungesa e qasjes burrështetase asaj kohe (pos Tupurkoskit që preferonte njëfarë marrëveshje historike me shqiptarët), bëri që gjendja e sigurisë dukshëm të dramatizohej duke harxhuar shumë energji në mbajtjen e njëfarë paqeje të brishtë në shtet, në kohën kur rajonin e kishte përfshi flaka e luftës. Shumë kontradikta të padefinuara në marrëdhëniet mes popujve u shndërruan në mosdurim dhe urrejtje të thella ndëretnike. Thjesht, ishte çështje kohe se kur do eruptonte gjendja përbrenda këtij shteti. Në ndërkohë ndodhi lufta në Kosovë, e cila përfundoi me intervenimin e Bashkësisë Ndërkombëtare në te. Pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, dihej se ishte çështje e zgjedhjes së momentit për atë se kur do të shpërthente konflikti edhe këtu.

Realisht, asaj kohe, koalicioni i atëhershëm qeveritar VMRO-PDSH, sikur bëri do hapa relaksues në marrëdhëniet ndëretnike dhe atë politikë filloj ta shndërroj në retorikë mediatike. Por, duhet theksuar se asaj kohe sikur ndodhi një shfrenim i korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, dhe kjo sikur bëri që bashkësia ndërkombëtare të mos ndërmerr hapa rigorozë për parandalimin e konfliktit.

Konflikti i vitit 2001 në Maqedoni, ishte i rrezikshëm për shumë faktorë, jo vetëm për shkak të rrethanave gjeopolitike rajonale dhe më gjërë, por edhe për shkak të asaj se aktorët e konfliktit nuk kishin ndonjë plan politik për qëllimet që duhej arritur. Pra, në fillim të konfliktit, nga kumtesat e krahut luftarak, nuk kishte një pozicion të qartë se çka dëshirohet. Pozicionet e tyre rrotulloheshin nga qëndrimi për bashkim kombëtar e gjer te të drejtat kolektive njerëzore. Por, fakt se edhe kreu i atëhershëm i shtetit s’dinte se si të menaxhojë me situatën e sigurisë tanimë të komplikuar shtesë dhe maksimalisht etnikisht të emocionuar. Menjëherë pas shpërthimit të konfliktit u pa se në shtet s’ka potencial të brendshëm për menaxhim racional me situatën në bazë të metodave të sprovuara, duke përfshi edhe ato të kohës së re. Përkundrazi, faktori emocionalisht i hutuar maqedonas me logjikën e një liliputi, vazhdonte që konfliktin ta shpjegonte me teori konspiracioni ose me argumente që gjer në fund demonizonin shqiptarët, madje duke e nxitur luftën akoma më shumë përmes argumenteve folklorike, si për shqiptarët ashtu edhe faktorin ndërkombëtar. Në ndërkohë, partitë shqiptare dhanë disa iniciativa që kishin të bëjnë me atë se si duhej organizuar shteti dhe pushtetit në kushte të pluralitetit etnik dhe politik.

Pra, duhet theksuar se fjala ishte për shumë akte që paraprakisht ishin shtruar nga partitë shqiptare dhe deputetët e tyre në parlamentin e Maqedonisë, ku potencohej se kjo duhej bërë domosdo që të eliminonte masën kritike për shpërthim të një konflikti të brendshëm ushtarak edhe në këtë pjesë të Ballkanit të nxehtë. Pra, disa herë pala shqiptare paraprakisht kishte insistuar në një marrëveshje të domosdoshme historike ndërmjet dy bashkësive më të mëdha etnike në shtet, duke potencuar nevojën e domosdoshme që shteti të ndërtohet mbi baza të një marrëveshje të përbashkët, ku në mënyrë precize do të garantoheshin shumë mekanizma funksional për një shtet të drejtë multietnik. Por, reagimet ishin të formës – kur s’keni përgjigje, vrisni atë që ka pyetur!

Kishte mospajtime edhe për ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar në bisedime për ndërprerjen e konfliktit dhe jo rastësisht ndërmjetësuesit në bisedime u emëruan si “lehtësues” e jo “ndërmjetësues”. Bisedimet ishin të vështira pasi te pala maqedonase dominonte bindja se konflikti i vitit 2001 ishte fryt i një komploti të jashtëm, se Kushtetuta fare s’duhej ndryshuar, se shqiptarët janë mercenarë për do interesa të huaja, se në këtë konflikt gjoja ishin të përzier edhe elemente islamike (madje për këtë qëllim u patën vrarë 7 emigrantë pakistanezë). Në këso rrethanash dhe dyshimesh u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, të cilën në vazhdimësi e përcollën obstruksione të shumta gjatë interpretimit dhe implementimit të saj.

Marrëveshjen e Ohrit, pos pjesës së përgjithshme e përbëjnë edhe tre anekse:

  1. për amendamentet kushtetuese;
  2. për ndryshimet në legjislacion;
  3. për implementim dhe për masat e ndërtimit të besimit.

Vend meritor i jepet zhvillimit harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht edhe të drejtat kolektive, identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të shtetit. Marrëveshja në fjalë parashihte edhe miratimin e disa ligjeve që kishin të bëjnë me avancimin e gjuhës shqipe, të drejtave kulturore, participimit në organet dhe struktura të shtetit, avancimin e pushtetit lokal etj. Disa nga këta segmente edhe pas 22 vjetësh akoma nuk gjejnë përdorim sipas kuptimit dhe logjikës së re. Modeli i Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, që potencohej si bazë për pushtet lokal më të avancuar, edhe sot akoma mbetet larg realizimit, gjë e cila drejtpërdrejtë reflektohet në zhvillimin ekonomik të rajoneve.

Marrëveshja parashihte vendosje të procedurave të veçantë kuvendare për çështjet që kishin të bëjnë me aspektet etnike. Pastaj parashihen procedura për zgjedhjen e organeve të caktuara, si dhe procedura dhe kuota etnike në disa organe siç janë: Gjykata Kushtetuese, Këshilli Gjyqësor, Komitetin për bashkësitë etnike, Ombudsmani etj.

Disa ditë para hapjes së procedurës për ndryshimin e Kushtetutës, ndër kuluare sikur filluan të qarkullojnë fjalë se disa pjesë të aneksit që kishin të bëjë me ndryshimet kushtetuese do të “pësonin do ndryshime simbolike”. Dukej se kjo më tepër kishte të bëjë me do interesa partiake konjukturale të asaj kohe, por që për faktorin ndërkombëtar nuk paraqiste ndonjë problem të veçantë. Ndryshime pësuan Preambula, e cila fillimisht bazohej në konceptin ekskluzivisht qytetar, e që me ndryshimet serish morri karakter etnik me nuance multietnike. Po ashtu ndryshime pësuan edhe do formulime që kishin të bëjnë me bashkësitë fetare. Afati përfundimtar i implementimeve legjislative dhe praktike të Marrëveshjes ka qenë viti 2004, megjithatë akoma sot e kësaj dite do çështje mbeten të padefinuara.

Gjatë mandateve kryeministrore të Nikolla Gruevskit, Marrëveshja ndeshej me do interpretime restriktive, madje vet ai bojkotonte përvjetorët e saja. Sot në opinionin maqedonas vazhdon të mbizotëron bindja se Marrëveshja e Ohrit është diçka tejet maksimale, madje mbi standardet evropiane, dhe se ky dokument është i pandryshueshëm dhe se çdo ndryshim eventual do të çojë në federalizm, nocion i cili këtu trajtohet si e keqja më e madhe që mund t’ i ndodhë “shtetit të tyre”. Andaj, në këso rrethanash, si çështje pak më pragmatike mbeten interpretimet afirmative të formulimeve të saja nëse për atë ka klimë politike. Formulimi “bashkësi etnike që përbënë së paku 20 përqind të popullatës” mbetet një sintagmë ofenduese për shqiptarët, në kohën kur “maqedonasit shpalleshin paraardhës të racës së bardhë”!

Jetësimi i Marrëveshjes së Ohrit pati zvarritje dhe partizim çmendës!

Objektivisht për shkak të shumë dobësive dhe rrethanave të karakterit objektiv e subjektiv, jetësimi i disa përcaktimeve të Marrëveshjes së Ohrit pati vonesa, zvarritje por edhe interpretime restriktive. Pjesë e tyre ma kalimin e kohës u përmirësuan, mbeten edhe disa përcaktime që të konkretizohen konform frymës së Marrëveshjes. Natyrisht se ka nevojë për qasje edhe më profesionale, por nuk duhet të mbetemi nihilist se ajo s’është realizua si duhet. Prioritare mbetet qasja jopartiake e saj si vlerë e përgjithshme e një kombi, por edhe e gjithë qytetarëve. Shoqëria shqiptare ka nevojë për rangim të prioriteteve. Në rend të pare duhet shumë më fuqishëm ta luftojmë korrupsionin që shkakton stagnim të përgjithshëm zhvillimor. Po ashtu duhet avancuar merit-sitemin në seleksionimin dhe avancimin kuadrove, duke eliminua aspektin partiak në këtë domen. Zhvillimi ekonomik është dashur ranguar në maje të hierarkisë në përcaktimet zhvillimore. Pa te s’kemi as mirëqenie, as dinjitet, madje as popull. Vetëm kjo do ta ndalonte shuarjen e dritës tani më shumë të zbehtë kombëtare në këtë vend. Njerëzit tani masovisht integrohen në jetën perëndimore, kurse vendlindja e dënuar nga vet ne ha edhe banorët e vet të fundit. Mjafton dy ekspert ekonomik me famë evropiane që të shpëtohen banorët e fundit të një anije që për dekada ndeshet me avari. Izraeli ka territor sa Maqedonia e Veriut, me 70 përqind shkretëtirë, ku jetojnë afro nëntë milionë banorë, por mban 20 për qind të tregut evropian me do produkte bujqësore. Standardi jetësor i banorëve të atjeshëm është gjashtë here më i lartë se te ne. Ekspertët kinez të investimeve thonë se po ta kemi rrafshinën e Pollogut me Malin Shar, ne mund të mbajmë aty mbi tre milion banorë me standard të lartë. Por këto punë nuk bëhen me kuadro nën mesatar që në një shtet normal evropian vështirë se do gjetshin ndonjë punë. Atje politikan bëhet ai që është treguar me shume vlera në profesion. Kurse ta ne mungesa e merit-sistemit ka sjell gjer aty sa persona kyç të jenë mu ata që në Perëndim zor se do i pranonin për roje nate të atyre objekteve dhe institucioneve që ata udhëheqin. Kështu, jo vetëm që s’mund të kemi zhvillim ekonomik, por, s’mund të kemi as popull. Ai do shkoj kudo tjetër në botë ku do e ketë më mirë se në vatrën e vet të mallkuar.

Xhems Perdju, njëri nga “lehtësuesit “e marrëveshjes me të drejtë pat deklaruar: “Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk është e përsosur – negociatat nën kërcënimin e luftës janë rrallë të përsosura – dhe zbatimi gjithashtu ka pasur disa probleme. Në përgjithësi, Marrëveshja e Ohrit ka qëndruar mirë si një model i marrëdhënieve etnike në Maqedoni dhe gjetkë. Dy parimet e mëdha të Ohrit – respektimi i identitetit kulturor të të gjithëve dhe të drejtat e barabarta për çdo qytetar, pavarësisht nga përkatësia etnike – janë akoma të vlefshme sot. Unë i përgëzoj ata që arritën këtë Marrëveshje, mençurinë dhe përkushtimin e tyre për paqe dhe stabilitet në vend.” Por, ai nuk kuptoj djallëzimin tonë partiak që si uragan po shkatërron popullin!

Mund të thuhet se papunësia apo punësimi i nivelit social është bërë një problem serioz, madje asgjësues për popullin, sepse qëndron nën limitin kritik të lejueshëm. Papunësia dhe shpërngulja vazhdojnë të mbeten një segment tejet i ndjeshëm, që mund akoma më seriozisht të dëmtojnë baraspeshën rezidente etnike në shtet. Edha pas tri dekada, akoma në mesin e popullatës shqiptare ka shkallë tejet të ulët të zhvillimit ekonomik. Vëllimi, struktura dhe tendenca e shpenzimeve publike gjithashtu tregon pabarazi të konsiderueshme të shpenzimeve të caktuara në rajone, programe dhe projekte. Andaj, vendimet publike për këto çështje duhet t’i nënshtrohen mekanizmit të konsensusit institucional. Shkollimi dhe aftësimi i vazhdueshëm profesional duhet përshtatur nevojave dhe praktikave të kërkesave të ekonomisë së tregut, kërkesave për vende pune të bazuara në aftësimin profesional, konform teknologjive moderne.