Bursa për nxënësit e Maqedonisë së Veriut në dy shkollat e mesme

Ministria për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut ka hapur konkurs për ndarjen e bursave për nxënësit e rregullt në shkollën për matematikë dhe informatikë dhe te Akademia e Sportit, transmeton Portalb.mk.

Konkursi është për nxënësit e vitit të dytë, tretë dhe katërt në Gjimnazin Matematiko-Informatikë, të kenë kryer vitin e kaluar shkollor me sukses, të mos jenë shfrytëzues të bursave tjera dhe të jenë shtetas të RMV-së.

“Lartësia e bursës do të jetë 3500 denarë në muaj, për nëntë muaj gjatë vitit shkollor. Lista e nxënësve që do të fitojnë të drejtën e bursës do të publikohet më datë  20.11.2024 në ueb faqen mon.gov.mk dhe në SHMSH “Gjimnazi Matematiko-Informatikë” – Shkup”, sqaroi Ministria.

Koha për aplikim do të jetë deri më  21 tetor përmes platformës onlajn. Në afat të njëjtë, kushte të njëjta dhe vlerë të njëjtë të bursës, do të jenë edhe bursat për nxënësit e Shkollës së Mesme Shtetërore “Akademia e Sportit”.