Bumi i armatimit me rekorde për industrinë e aeronautikës
Industria gjermane e aeronautikës regjistron qarkullim më të lartë se kurrë më parë. Dhe numri i punonjësve gjithashtu ngjitet në nivelin më të lartë. Arsyeja janë porosite shumë më të mëdha për armë, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.
E nxitur nga një bum në biznesin e armëve, industria gjermane e aeronautikës arriti rekorde në qarkullim dhe punësim vitin e kaluar. Të ardhurat në këtë sektor u rritën me 19 për qind në 62 miliardë euro, siç njoftoi Shoqata Federale e Industrisë Gjermane të Aeronautikës (BDLI). Numri i punonjësve u rrit në nivelin më të lartë prej 130.000.
Veçanërisht i fortë ishte zhvillimi i aviacionit ushtarak, qarkullimi i të cilit u rrit me 35 për qind në 13.5 miliardë euro. Edhe industria hapësinore u rrit me 17 për qind në 3.5 miliardë euro. Megjithatë, segmenti më i madh mbetet aviacioni civil me një rritje prej 15 për qind në 45 miliardë euro.
Kërkesë e lartë pas krizës së koronës
Në përgjithësi, Shoqata e lidhi rritjen me kthesën epokale në politikën e sigurisë si dhe me kërkesën e lartë ndërkombëtare. Gjithashtu një burim është edhe rritja e vazhdueshme e prodhimit në industrinë aeronautike pas kapërcimit të krizës Covid. “Shifrat tregojnë: industria e aeronautikës është strategjikisht e rëndësishme për Gjermaninë – ekonomikisht, teknologjikisht dhe në aspektin e politikës së sigurisë”, tha presidenti i BDLI, Michael Schöllhorn.
Megjithatë, ky sektor përballet me sfida të mëdha si zinxhirë të brishtë furnizimi, presion në rritje të konkurrencës ndërkombëtare dhe një nevojë të lartë për fuqi punëtore të kualifikuar. Vitin e kaluar industria investoi rreth katër miliardë euro në kërkim shkencor dhe zhvillim. Kuota e eksportit ishte 66 për qind.
