Bota serbe po shembet?!
Shkruan: Mersel Bilalli
Një thënie thotë se shumë njerëz do tmerroheshin po ta shihnin karakterin e tyre para një pasqyre në vend të fytyrës së tyre!
Termi “bota serbe” është promovuar më 26 shtator 2020, nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Aleksandar Vulin, që pat thënë: “Vuçiq duhet të krijojë botën serbe. Beogradi duhet t’i mbledhë të gjithë serbët rreth tij, kurse presidenti i Serbisë të jetë president i gjithë serbëve kudo! Por, shkaku se rrethanat ekzistuese gjeopolitike nuk favorizojnë bashkimin e të gjitha territoreve ku jetojnë serbët, ai do të ndodhë pas dhjetë, njëzet apo pesëdhjetë vjetësh”!
Një mendje kaq e kontaminuar nuk mund të sheh se sot edhe popuj të fuqishëm jetojnë në disa shtete. Një pjesë e mirë e francezëve jetojnë në Belgjikë dhe Zvicër. Rreth 29% e gjermanëve jetojnë në vendet fqinje. Madje edhe shumë rusë jetojnë në vendet përreth. Vetëm njerëzit me “mendje nëntoke” promovojnë “popull qiellor”. Por, ja që tani shohim se edhe në Serbi paska tjerë shumë më ndryshe se sa Vulin dhe të ngjashmit si ai. Ata sot janë një stuhi e fortë demokratike që ka habitur gjithë Evropën.
Shkëndijat fillestare të stuhisë aktuale në Serbi u shfaqën kur u pat shemb pjesë e stacionit hekurudhor në Novi Sad, duke u vrarë 15 persona. Vështirë se dikush mund ta merrte me mend se kjo do të shndërrohej në një vullkan. Sidomos jo në këtë Serbi, e cila ekonomikisht është shumë më përpara se fqinjët e saj përreth. Por, edhe një herë dëshmohet se elementet e “regjimit” brenda një shteti janë një akumulator mjaft të mirë i mllefit kolektiv, i cili në ndonjë moment domosdo do shpërthejë dhunshëm. Tani, anembanë Serbisë, qindra mijë të rinj protestues – nxënës, student. Profesorë, punëtorë, administratorë e shumë të tjerë – po e tundin themelet e Serbisë së Vuçiqit, Vulinit, Daçiqit e të ngjashmëve. Fjala është për një energji mbresëlënëse e gjithëpërfshirëse rinore që nuk ofendon askënd, as brenda e as në rrethinë. Ata vetëm se duan qeverisje normale, institucione normale të barabarta për të gjithë pavarësisht dallimeve. I vetmi dallim do duhej të jetë dija, puna dhe përkushtimi, që ka emër – “sistemi i meritave”.
Daçiq, tregoi publikisht një regjistrim telefonik se si sillej një protestant agresiv dhe kërcënoi se “kushdo që ngre dorën ndaj një polici do shkojë në burg”. Por, fakt se është një masë e madhe njerëzish që bën të pamundur të kontrollohet plotësisht. Ata publikisht thonë refrenin – “derisa s’do ketë drejtësi për popullin, s’do ketë rahati as për pushtetin”. Përshtypja e përgjithshme midis protestantëve është se qeveria sikur i detyrohet shumë botës së krimit!
Në krah të rinisë për ndryshim janë gazetarë të shumtë, redaktorë, sindikata, shoqata, profesorë, dekanate, administratorë të lodhur nga drejtues partiakë analfabetë etj. Nxënës të shkollave të mesme kishin shkruar një transparentë – “Nëse ju pyesin në shtëpi se ku ishit, thuaju se ishim në leksion për ndërgjegje dhe dinjitet”. Qeveria vazhdon të thirret në rezultatet ekonomike, por kjo bie në vesh të shurdhër. Serbia, përkundër zhvillimit të saj të shpejtë ekonomik, ende mbetet një mjedis shumë i partizuar dhe i kriminalizuar, realitete që për nga natyra e tyre prodhojnë diskriminim njerëzor dhe mllef kolektiv.
Popullata më së shumti është e irrituar nga sjellja agresive e autoriteteve dhe nga mbështetësit e tyre, numri i të cilëve është gjithnjë e më i vogël. Madje, ka pas raste kur ata kanë përplasur me makina protestuesit. Momenti trishtues ishte kur studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike u sulmuan çmendurisht nga aktivistë të Partisë së Vuçiqit. Një incident i rëndë ka ndodhur në qendër të Beogradit kur një shofer me makinën e tij ka përplasur anëtarët e Filarmonisë në një rrugë të bllokuar, duke plagosur katër persona. Ndërkohë shtohen pankartat me mbishkrimin: “Studentë, shpëtoni shtetin tonë”. Nervozizëm nga të gjitha anët. Fyerje dhe etiketime të rënda nga media besnike ndaj regjimit. Vuçiq mblodhi personalisht gjithë qeverinë e kryeministrit Vucetiç dhe i qortoi publikisht para kamerave, sikur të ishin fëmijë të vegjël të moshës parashkollore. I shante, i poshtëronte dhe ofendonte deri në palcë, se si ata “nuk dinë të punojnë asgjë”, se “kanë frikë nga hija e tyre”, “se janë debil”, ndërsa ata me turp heshtnin me kokën ulur! Vuçiqi tashmë qorton frontalisht shumë segmente të jetës publike, duke dashur të shfajson veten, por kjo akoma më tepër rrit revoltën e përgjithshme.
Në përgjithësi, Serbia ka rezultate të mira në zhvillimin ekonomik, por partizimi në çdo segment të jetës publike dhe kriminalizimi i përgjithshëm kanë krijuar pakënaqësi të mëdha tek qytetarët. Kjo nuk mund të amortizohet as me gebelsizëm. Kështu që në realitet Serbia tani është reduktuar në vetëm tre opsione – rënia e regjimit, zgjedhje të parakohshme apo një masakër e madhe. Këtu, edhe reformat dhe ndryshimet më të mira që mund t’i ofrojë qeveria ekzistuese, nuk pranohen sepse apriori janë thelbësisht të pabesueshme. Zgjidhja më e mirë është që regjimi i Vuçiqit të largohet pa gjakderdhje dhe të krijohet mundësia që studentët me struktura joqeveritare të organizohen politikisht, sepse opozita ekzistuese në Serbi nuk ka autoritetin e duhur.
Qeveria e Maqedonisë të nxjerrë një mësim!
Këto ditë dëgjuam një absurditet të paparë, se si një ministër shqiptar nuk ka dashur të hapë çerdhe në Haraçinë, sepse kryetari i asaj komune i paska thënë diçka atij, që është një ndërthurje e absurditetit dhe marrëzisë. Po ashtu është absurde që qeveria e re të fshijë gjuhën shqipe nëpër tabelat e shenjave rrugore dhe në pika kufitare, duke i zëvendësuar me frëngjishten! Mesazhi është vërtet i keq, sepse njerëzit atë e perceptojnë si shkelje dinjiteti dhe fyerje kolektive, ndërsa disa përbërës të koalicionit shqiptar bëhen se janë “francezë”!
Vet kryeministri ka përgjegjësi objektive për situatën e acaruar ndëretnike sepse ai gjatë fushatës parazgjedhore s’bënte dallimin mes partisë dhe etnisë në rivalitetin partiak me BDI-në. Kjo ka krijuar shumë mosbesim tek shqiptarët që nuk është aspak lehtë të riparohet as me mesazhe aktuale të moderuara nga ana e kryeministrit. Lëvizjet me numrin e popullsisë rezidente, heqjen e balancuesin pa miratuar ligj dhe tani kontestimi i gjuhës shqipe, madje edhe nga një zyrtar i lartë i partisë së tij si një nga nismëtarët para Gjykatës Kushtetuese, brutalisht ka torpeduar kohezionin etnik sado pak të arritur në shteti. Do të duhet shumë kohë për ta rregulluar atë, dhe sigurisht jo në këtë mënyrë. Të paktën, puna nuk shkon me njerëz shqiptar që të vetmin talent kanë pohimin me kokë. Punët bëhen me profesionalizëm, ekuilibrim dhe respektim të rreptë të ligjeve.
Është mirë që ata që janë në listën e zezë amerikane të përpunohen shpejt, por kjo duhet të jetë e përgjithshme. Kemi edhe të tjerë në këto lista, edhe nga lindja e shtetit, emrat e të cilëve fshihen, edhe pse SHBA kërkon që të hetohen! Gjersa në Serbi i gjithë vendi është në këmbë për 15 vdekje për fajin e qeverisë, këtu shumëçka mbulohet, duke përfshirë edhe atë se si u bënë spitalet modulare, se si transportoheshin njerëzit me autobusë pa plotësuar kushtet, me çka shumë njerëzit u dogjën të gjallë! Këtu, natyrisht, fajin e ka edhe qeveria e mëparshme. Ngjarjet e fqinjit duhet të na jenë mësim për atë se si “sëmundja” e rëndë e quajtur partizim mund të na e thyej kokën fare lehtë! Tashmë është vërtetuar se partizimi dhe mazhoritarizmi etnik janë plagë kancerogjene për çdo shoqëri, nga të cilat lehtë vdiqët.. Kur e gjithë kjo të përzihet me nacionalizëm, bëhet një brumë i rrezikshëm për helmim kolektiv. Serbia është një shembull i gjallë! Dihet se ata që bëjnë të pamundur evolucionin paqësor, e bëjnë të pashmangshëm revolucionin e dhunshëm. “Sekreti i lumturisë, nuk është në kërkimin e sa më shumë, por në zhvillimin e aftësisë për t’u kënaqur edhe me pak” – thotë Sokrati.
Sistemi i meritave duhet aplikuar menjëherë, sepse koha po ikën. Pikërisht për mungesën e një sistemi të tillë ne u bëmë rekordmen shtetëror skijimi në disiplinën “kërcim pas diplomave të blera”. Andaj administrata dhe gjyqësori na janë mbushur me gjysmë-analfabet partiak. Të gjithë e dinë që sapo të rrjedh çatia, duhet riparuar menjëherë sepse e gjithë shtëpia mund të shembet. Friedrich Hegel thotë – fuqia e Zotit në tokë mund të jetë vetëm shteti i drejtë!