Bislimi dhe Petkoviq sot në Bruksel për raund të ri bisedimesh

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, gjenden sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse ata do të zhvillojnë edhe takim të përbashkët, apo vetëm veç e veç me zyrtarët e BE-së.

Për herë të fundit, ata janë takuar në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.

Bislimi e ka akuzuar atëkohë palën serbe se dëshiron vetëm zbatim të pjesshëm të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Petkoviq ka thënë se pala kosovare nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja Bazë, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e këtij asociacioni, është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk ka gjetur zbatim.

Sipas burimeve në BE, në takimet e sotme pritet të diskutohen hapat për zbatimin e saj.

Këtyre takimeve u kanë paraprirë udhëtimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe në Beograd.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Përveçse në nivel kryenegociatorësh, bisedimet zhvillohen edhe në nivel politik.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar qysh në shtator të vitit të kaluar dhe të dy kanë akuzuar njëri-tjetrin për qasje jokonstruktive.

BE-ja, në anën tjetër, përsërit se dialogu është e vetmja mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve.

Ajo e ka kushtëzuar integrimin evropian të të dyja vendeve me përparimin në dialog.