Begaj iu drejtua Kuvendit të RMV-së, në fokus Korridori 8 dhe zbatimi i të drejtave të shqiptarëve
Pas takimit me homologen e tij maqedonase, presidenti i Shqipërisë iu drejtua Kuvendit të RMV-së ku iu drejtua deputetëve me fjalim, i cili u fokusua në marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërsa theks të veçantë i kushtoi ndërtimit të Korridorit 8, raporton Portalb.mk.
Gjatë fjalimit të tij, Begaj përmendi disa pika thelbësore, por një pjesë të madhe të kohës e kushtoi ndërtimit të Korridorit 8, i cili sipas tij është projekt me rëndësi të madhe jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin më të gjerë.
“Korridori 8 është shembulli më i mirë se si lidhen siguria dhe ekonomia. Ulet koha e udhëtimit, zvogëlohen kostot dhe rritet konkurrenca për biznesin. Është një arterie tregtare, dhe për qytetarët një mundësi për punësim. Për rajonin, përfaqëson një mesazh për sigurinë, sepse bashkëpunimi është më i mirë se izolimi”, tha Begaj.
Ai foli edhe për marrëdhëniet midis dy vendeve, Marrëveshjen e Ohrit, përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në institucione dhe zbatimin e Ligjit të gjuhëve.
“Marrëdhëniet tona kanë ndikim edhe në rajon, ato mbeten një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe orientimit tonë euroatlantik. Për Shqipërinë, Maqedonia e Veriut është një faktor kyç në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe kohezionit ndër-etnik”, tha Begaj.
Më herët Begaj pati takim me presidenten Gordana Silajnovska Davkova, ku më pas patën edhe konferencë të përbashkët për shtyp. Ai takoi edhe kryeministrin e vendit Hristijan Mickoskin.
Vizita e presidentit të Shqipërisë në vend filloi para dy ditëve në Çashkë dhe Çair, vazhdoi në Shkup, ndërsa nesër ai do qëndrojë në Tetovë dhe Gostivar.