BE-ja nuk do që Maqedonia e Veriut të humbë integritetin e saj
Reformat e Bashkimit Evropian në fushën e sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, institucioneve të lira dhe standardeve ekonomike, nuk kanë asnjë lidhje me shkatërrimin e integritetit. Përkundrazi, ato kanë për qëllim forcimin e integritetit të shtetit dhe institucioneve, shkruan Vërtetmatësi.
“Po bëjmë një recensim të një postimi në rrjetin social Facebook, në të cilin shkruan:”
Ukraina, Moldavia dhe Qiproja mund të hyjnë në BE pa integritet të plotë territorial, ndërsa për Maqedoninë duan t’i shkatërrohet integriteti.
Nuk është e vërtetë që Ukraina, Moldavia dhe Qiproja nuk kanë integritet territorial. Ato formalisht kanë integritet territorial të njohur ndërkombëtarisht, por pjesë të territoreve të tyre nuk janë nën kontroll efektiv të pushtetit qendror.
Territori i Ukrainës është plotësisht i njohur ndërkombëtarisht, duke përfshirë Krimenë, Donjeckun, Luganskun, Zaporizhjen dhe Hersonin si pjesë të Ukrainës. Por Rusia kontrollon territore si Krimea (nga viti 2014) dhe pjesë të Ukrainës lindore dhe jugore (nga viti 2022). Pra, territoret janë të njohura, por kontrolli është i pjesshëm.
Integriteti territorial i Moldavisë është i njohur universalisht, duke përfshirë rajonin e Transnistrisë. Republika e Qipros kontrollon jugun, ndërsa Republika Turke e Qipros së Veriut kontrollon veriun – 85623e njohur vetëm nga Turqia.
Siç shkruan “The Guardian”, Komisioni Evropian ka publikuar një raport sipas të cilit 10 vendet aplikuese, mes tyre Ukraina dhe Moldavia, kanë një objektiv realist të anëtarësohen në BE deri në vitin 2030.
Në fakt, integriteti territorial nënkupton të drejtën e një shteti që të ruajë territorin e tij të njohur ndërkombëtarisht si të pandashëm dhe të paprekshëm, pa ndërhyrje të jashtme, okupime apo ndryshime të detyruara të kufijve. Kjo do të thotë se shteti ka të drejtë t’i ruajë kufijtë e vet, asnjë shtet tjetër nuk ka të drejtë t’ia marrë territorin me forcë, dhe integriteti territorial bazohet në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ky parim është një nga shtyllat themelore të së drejtës ndërkombëtare. Në të drejtën ndërkombëtare, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së e njohin të gjithë territorin e Ukrainës, duke përfshirë Krimenë dhe rajonet në lindje e jug.
Përveç që nuk është e vërtetë se vendet e përmendura nuk kanë integritet territorial dhe se në atë mënyrë kanë mundur të hyjnë në BE, edhe më pak është e vërtetë se “BE-ja dëshiron që Maqedonisë t’i shkatërrohet integriteti”.
BE-ja formalisht dhe praktikisht e njeh integritetin territorial të Maqedonisë së Veriut. Të gjitha shtetet anëtare të BE-së e njohin sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Maqedonisë së Veriut brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Kjo është politikë zyrtare dhe e pandryshuar e BE-së. Negociatat me Bullgarinë ose kushtet e lidhura me historinë dhe gjuhën nuk kanë të bëjnë me kërkesa territoriale, dhe BE-ja nuk mbështet kurrfarë ndryshimi kufijsh. BE-ja ka një politikë shumë të rreptë kundër ndryshimit të kufijve me forcë dhe për respektimin e sovranitetit të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
BE-ja nuk kërkon territore, nuk shkatërron shtete dhe nuk krijon destabilitet; përkundrazi, dëshiron shtete stabile dhe funksionale përreth vetes. Maqedonia e Veriut është një shtet sovran me kufij të njohur ndërkombëtarisht dhe me të drejtë të vendosë vetë për çështjet e saj të brendshme, dhe BE-ja këtë nuk e konteston.
BE-ja kërkon reforma në drejtim të sundimit të ligjit, gjyqit të pavarur, luftës kundër korrupsionit, institucioneve të lira dhe standardeve ekonomike. Kjo nuk ka asnjë lidhje me shkatërrimin e integritetit të shtetit; përkundrazi, ka të bëjë me forcimin e integritetit të shtetit dhe të institucioneve. Disa rekomandime janë për reforma në drejtësi, reforma për liritë mediatike, marrëdhëniet me fqinjët – tema që shpesh përdoren në debatet politike si “shtrëngime”. Por kjo nuk është sulm ndaj integritetit shtetëror, por procedurë standarde që e kalojnë të gjitha vendet kandidate.
BE-ja as dëshiron, as ka mekanizëm, as ka interes për të shkatërruar integritetin e Maqedonisë. Përkundrazi, koncepti i BE-së është që shtetet të kenë një integritet më të fortë, e jo më të dobët.
Për të gjitha faktet e sipërpërmendura, postimin që po recensojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.