Nesër do të hapet ‘këndi i fëmijëve’ në Idrizovë, kushte më humane gjatë vizitave familjare
Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve nesër do të hapë këndin e fëmijëve në Qendrën Korrektuese Idrizovë, e ndërtuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, transmeton Portalb.mk.
Në këtë aktivitet do të marrin pjesë Ben Nuntan, ushtrues detyre i kryetarit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Donçe Boshkovski, kryetar i Njësisë II, Departamenti për Bashkëpunim për Policinë dhe Privimin nga Liria, Këshilli i Evropës, Aleksandar Pandov, drejtor i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve
Kjo iniciativë po zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Drejtorinë për Zbatimin e Sanksioneve, me mbështetjen e programit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, në kuadër të projektit “Forcimi i Kapaciteteve të Sistemit Penitenciar në Maqedoninë e Veriut”.
Këndet e fëmijëve në burgje janë hapësira të posaçme, të krijuara për t’u mundësuar të burgosurve që të kalojnë kohë cilësore me fëmijët e tyre në ambient të përshtatshëm dhe më pak traumatizues. Të pajisura si dhoma të zakonshme lojërash, këto hapësira synojnë të zbusin ndikimin emocional e social që mund të kenë vizitat në mjediset e rënda të burgut. Këto iniciativa marrin parasysh faktin se mijëra fëmijë në vend rriten me sfidën e të pasurit një prind apo familjar që vuan dënim me burg, dhe kontribuojnë në krijimin e kushteve më humane brenda institucioneve korrektuese.
Në Maqedoninë e Veriut, ekzistojnë vende të ngjashme me “këndet e fëmijëve” në institucione korrektuese në burgun e Prilepit dhe në burgun e Kumanovës.
Sipas rekomandimeve të Këshillit të Evropës, qendrat vizituese duhet të kenë hapësira të veçanta për fëmijë me elemente si lodra, pajisje për kujdesin ndaj foshnjave dhe mjedis që nxit ndërveprimin dhe kontaktin emocional me prindin e burgosur.
- LEXO: Një vajzë rri e mbyllur me dry për 22 orë në ditë në burgun e Idrizovës, institucioni korrektues në Tetovë nuk ka krijuar kushte për ndarjen e djemve nga vajzat
- LEXO: RMV, shkilen një sërë ligjesh duke mbajtur vajzat e mitura në një vend me të burgosurat me krime më serioze në Burgun e Idrizovës