BDI-ja në “mbledhjen historike” i miratoi tri rezoluta

Në Mbledhjen e Përgjithshme që organizoi Bashkimi Demokratik për Integrim në Gostivar, u miratuan tri rezoluta pasi u vlerësua se gjendja në Maqedoninë e Veriut është shqetësuese. BDI-ja këtë mbledhje e vlerësoi si “historike”, transmeton Portalb.mk.

“Ritheksojmë nevojën për qasje më proaktive të forcave kryesore ndërkombëtare që garantuan paqen duke përkrahur Marrëveshjen e Ohrit dhe potencojmë se një ndër postulatet kryesore që buron nga Marrëveshja e Ohrit është pikërisht mbrojtja nga majorizimi, gjë e cila aktualisht po minohet deri në fundosje të mundshme duke lejuar dhe duke mundësuar marrjen në Qeveri të koalicionit jo-fitues i cili nuk e manifeston vullnetin politik të shqiptarëve në RMV dhe si i tillë e shndërron Qeverinë në një Qeveri pa legjitimitet etnik”, thuhet në rezolutën e parë të titulluar “Legjitimiteti”.

Aty vlerësohet se vendosja e praktikave të këtilla minon të arriturat për liri e barazi, në pajtim me Marrëveshjen e Ohrit, duke alarmuar se kjo do të kthen Maqedoninë e Veriut mbrapa.

“Nënvizojmë se mospërfillja e vullnetit politik të shqiptarëve largon vendin dhe bashkëjetesën ndëretnike si vlerë e shoqërisë sonë nga normat e vendosura në pajtim me MO-në dhe atakon parimin e shumicës së dyfishtë që buron nga MO-ja”, thuhet në Rezolutë.

Në rezolutën e numër 2 theksohet nevoja për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, së bashku me ndryshimet kushtetuese.

“Ne, anëtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të mbledhur në këtë Mbledhje të Përgjithshme, miratojmë këtë Rezolutë për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mire së bashku me ndryshimet kushtetuese”, thuhet në Rezolutën nr.2.

Ata kërkojnë nga institucionet shtetërore zbatimin e këtyre tri marrëveshjeve ndërkombëtare.

“BDI-ja rikonfirmon se zgjedhjet brendapartiake kontribuojnë në rritjen e cilësisë së strukturës dhe sjellinprurje të reja në organizatën tonë politike, me ç’rast mbetemi të fokusuar në rininë si prioritet i veprimtarisë vijuese të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke i dhënë përparësi veçanërisht në aspekt të krijimit dhe implementimit të politikave të organizatës sonë politike”, thuhet në rezolutën nr.3 të BDI-së.

Në rezolutën numër 3 të titulluar “Rezolutë mbi organizatën tonë politike”, rruga e BDI-së vlerësohet si rrugë e drejtë politike.

Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim e udhëhoqi koalicionin parazgjedhor “Fronti Europian” në zgjedhjet e fundit të 8 majit. Ata arritën të marrin 18 deputetë, por nuk arritën të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar.

Koalicioni qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja, VLEN-i dhe ZNAM.