BDI: Dënojmë vendimin e fundit të MASh-it për zëvendësimin e shqiptarëve në komisione me përfaqësues maqedonas

Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) dënon vendimin e fundit të Ministrit të Arsimit për të zëvendësuar përfaqësuesit shqiptarë në komisione të ndryshme me përfaqësues maqedonas. Ky veprim sipas tyre është shenjë e qartë e diskriminimit etnik dhe përjashtimit të shqiptarëve nga pozitat kyçe të vendimmarrjes, transmeton Portalb.mk.

Disa nga zëvendësimet e fundit sipas BDI-së:

Xhemile Idrizi u zëvendësua me Keti Kostovska,
Xhuliana Zairi u zëvendësua me Georgi Pandeliev,
Sokol Ahmeti u zëvendësua me Verica Paunovska,
Laura Cana u zëvendësua me Slavica Mircevska,
Liridona Bushi u zëvendësua me Daniela Graorska,
Sadete Ramadani u zëvendësua me Biljana Trajkovska,
Nuran Kadriu u zëvendësua me Anastasia Trajkovska,
Abaz Fetishi u zëvendësua me Rajne Velinovska.

“Përjashtimi i plotë i përfaqësuesve shqiptarë nga këto komisione tregon jo vetëm një akt të qartë të diskriminimit etnik, por edhe dështimin e përfaqësuesve ilegjitimë shqiptarë në qeveri për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e shqiptarëve në vend. Kjo është një goditje e rëndë për barazinë dhe përfaqësimin e drejtë të komunitetit tonë në institucionet shtetërore”, thonë nga BDI.

BDI thotë se do të ndërmarrë të gjitha masat politike dhe ligjore “për të sfiduar këtë vendim të padrejtë dhe për të siguruar rikthimin e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional të shqiptarëve, siç parashikohet nga Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit. Ftojmë në arsye që të ndërpritet urgjentisht kjo praktikë diskriminuese”.

Ndërkohë, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu theksoi për INA se është tërhequr listat me propozimet për në komisionet sektoriale të Ministrisë së Arsimit.

“Behet fjalë për nominime në komisionet sektoriale të propozuara nga MASh, por që në ndërkohë pas konsultimeve me kabinetin e ministres janë tërhequr për t’i analizuar dhe për të dhënë propozime të cilat do të jenë më gjithëpërfshirëse, duke mbajtur llogari edhe për aspektin e përgatitjes profesionale dhe përfaqësimit të drejtë”, deklaroi zëvendësministri Aliu.