Autobusët privatë në Shkup nga e premtja nuk do të lëvizin, pasi Arsovska nuk i ka paguar që nga janari

Një pjesë e autobusëve privatë në Shkup deri në fund të kësaj jave do të lëvizin vetëm deri në orën 10:00. Ky është, siç thonë ata, një paralajmërim dhe kërkojnë pagesën e financave që të mund të vazhdojnë vozitjen, transmeton Portalb.mk.

“Deri të premten do të vozisim vetëm deri në 10 të mëngjesit dhe pastaj do të vendosim se çfarë të bëjmë”, thotë Oliver Petrushevski në një deklaratë për MIA-në.

Sipas tyre, që nga janari i këtij viti kanë marrë vetëm një pjesë të mjeteve dhe për shkak se nuk janë paguar për shërbimin që ofrojnë.

Disa prej tyre, siç thonë ata, kanë pasur takim me drejtorin e Ndërmarrjes së Transportit Publik “Shkupi”, i cili tashmë është shkarkuar nga pozita e tij dhe nga i cili kanë marrë premtimin se gradualisht do t’u paguhen borxhet. Në këtë mënyrë, siç thonë ata, borxhi i tyre do të shlyhet plotësisht deri në shtator.

Ata thonë se nuk kanë asnjë njoftim se çfarë do të ndodhë pas shkarkimit të tij.

Transportuesit privatë pushuan së qeni pjesë e transportit publik të qytetit në nëntor të vitit 2022 për shkak të borxheve që kërkuan t’i paguante Qyteti i Shkupit. Në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, më shumë se 300 autobusë të parkuar në kryqëzimet kryesore bllokuan kryeqytetin.

Kryetarja Danella Arsovska mohoi se qyteti ka borxh ndaj kompanive private, ndërsa vitin e kaluar tha se është e sigurt se Qyteti i Shkupit mund të funksionojë pa autobusë privatë.

Pasi Arsovska i ndërpreu kontratat me dy shoqatat “Sloboda vravoz” dhe “Makekspres” nën ombrellën e së cilës lëviznin transportuesit privatë, u shpallën njoftime të reja për transport publik me autobus në të cilin mund të aplikojnë transportuesit privatë.

Në fund të majit të vitit të kaluar, NTP “Shkup” njoftoi se transportuesit privatë po kthehen në rrugë.