Arbëreshi që shkriu jetën për Shqipërinë

Shqipërinë postskënderbejane e ringjallën nga hiri prometejët e Rilindjes. Mes tyre u dallua arbëreshi Jeronim De Rada, i mirënjohur si autor i poemave të papërsëritshme, por jo sa duhet si veprimtar, i cili, me të përkohshmet e tij letrare e politike: “Arbëreshi i Italisë” dhe “Flamuri i Arbërit”, kontribuoi me të gjitha forcat për çështjen kombëtare.

Këtë e dëshmon Gustav Majeri, njëri ndër albanologët më të rëndësishëm të sh. XIX, i cili në një shkrim të tijin thotë: Figura e De Radës të prek. Ai plak i goditur nga vdekja e njerëzve të afërt të familjes, nuk lodhet së punuari me fjalë e me pendë për kombin e tij që e do aq shumë e që, për këtë qëllim, themelon dhe drejton prej kohësh revista shqiptare.

De Rada e ndjeu herët rrezikun që do t’i kanosej Shqipërisë nga fqinjët, pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, sepse Serbia, Mali i Zi dhe Greqia përkraheshin nga fuqitë hegjemone si Rusia dhe Franca. I brengosur për copëtimin e mundshëm të Shqipërisë, ai u bë njëri ndër krerët e rëndësishëm të  lëvizjes kombëtare, kurse revista “Flamuri i Arbërit”, në vitet e Lidhjes së Prizrenit, u bë tribunë e luftës së shqiptarëve për liri. Nëpërmjet saj  De Rada u dërgonte përfaqësuesve të fuqive të mëdha informata për çështjen e lartë të çlirimit kombëtar të popullit shqiptar.

Në faqet e  revistës De Rada botonte artikuj që sfidonin qëllimet ogurzeza të armiqve. Për këtë kishte përkrahjen e plotë të bashkëkombësve, veçmas të arbëreshëve të drejtuar sy e vesh nga Mëmëdheu i të parëve. Ata i shkruanin shpesh se revista e tij është botim që pritet me interes e me simpati nga një skaj i Evropës në tjetrin. Fjalë miradije për revistën kishin edhe të huajt. Gazeta vjeneze “Die  Press”, në shkrimin e botuar me 5 janar 1887, “Flamurin ei Arbërit” e quajti: “Shenjë të përparimit e të kulturës në Shqipëri”.

Përsonalitetet dhe ngjarjet për të cilat shkroi De Rada gjatë viteve 1878-1881 janë të panumërta. Më të rëndësishmet prej tyre i botonte në vendet më të dukshme të revistës. I tillë është artikulli për vrasjen në Gjakovë të diplomatit turk me origjinë hungareze, Mahmet Ali Pashë Maxharit, pjesëmarrësit në Kongresin Berlinit, i cili erdhi më pas në Shqipëri për t’i bindur shqiptarët, që me të mirë apo me dhunë, t’ia japin Malit të Zi Plavën dhe Gucinë.

De Rada shkroi edhe për kryengritjen e gjerë antiosmane të Prizrenit, që shpërtheu më 30 prill të vitit 1885 dhe përfundoi me tërheqjen e trupave turke. Shkroi edhe për djegien e Korçës gjatë dimirit të vitit 1885, për shkak se ishin bashkuar me Lidhjen e Prizrenit. I ashpër qe edhe me shkrimet kundër krijimit të “Serbisë së vjetër”, që donte të gllabërojë Gjakovën, Rekën dhe shumë sinore të tjera, me profkat se gjoja shqiptarët e këtyre vendbanimeve janë serbë të asimiluar me dhunë.

Në betejën për të mbrojtur të vërtetën De Rada nuk kurseu asnjë shtet dhe asnjë invivid. Ai qe kundër Austrisë kur kërkoi krijimin e një principate shqiptare në veri, që duhej të ishte nën kujdesin e saj. Ne donim, shkroi De Rada, që Evropa të jetë në paqe e të dojë të mirën e Shqipërisë, në mënyrë që të zgjidhet çështja e këtij populli të lashtë, i cili kërkon vetëm autonominë në territorin e tij dhe asgjë tjetër.

De Rada goditi me guxim edhe politikën italiane ndaj shqipërisë. Në nëntor të vitit 1885 ai shkroi: Sapo u bashkuan krahinat e Italisë, në shtypin e saj u pasqyrua dhe po pasqyrohet ende dëshira për të vënë këmbë në bregdetin shqiptar, nga frika se mos Austria shpejton e i zë diellin…

Të njëjtën gjë e bëri edhe për dhelpëritë e Greqisë së përqendruar në helenizimin e plotë të shqiptarëve. Në kryeartikullin e revistës me titullin sugjestiv: “Gënjeshtra është histori” , të botuar në vitin 1886, ai shtron pyetjet: Përse nuk hapni shkollat shqipe në vendbanimet shqiptare? A mos doni dhe pjesë tjera të Epirit nga Maqedonia, me qëllim që njerëzit tuaj të krijojnë në to pasuri e të zotërojnë toka, që të jenë krahinat tuaja? Kjo është gënjështër.

Rilindësi i madh arbëresh, për të cilin thanë fjalë të mëdha titanë të letërsisë botërore, si: Viktor Hygo, Lamartini, Aleksandër Dyma dhe shumë të tjerë, nuk vinte asgjë përpara Shqipërisë. Ndaj nuk i kurseu as renegatët shqipfolës në shërbim të tjetrit, që përbuznin gjuhën e Nënës dhe lëvdonin “gjuhët e shenjta të pushtuesve”.

Në mbyllje të këtij shkrimi, frymëzimin e të cilit e gjeta të vepra e Ahmet Kondos, “Flamuri i Arbërit”, të botuar nga SHB “Naim Frashëri” në vitin 1967, nuk mund të lë pa thënë shkurt se Jeronim De Rada i ka dhënë shumë gjuhës, shkollës, gazetarisë, artit dhe kulturës shqiptare. Ai, siç do të thoshte Ahmet Kondo,  ka zënë vendin e merituar në mesin e luftëtarëve më guximtarë dhe agjitatorëve më të palodhur, që shkrinë jetën e tyre për çështjen kombëtare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.