Arbëreshë Ibrahimi në top pesë inxhinieret e reja më të mira në RMV: E ardhmja e arkitekturës sonë është më kritike
E ardhmja e arkitekturës së vendit tonë është më kritike se ajo e vendeve të tjera të rajonit. Për shkak të krizës politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, që reflektohet drejtpërdrejt edhe në zhvillimin dhe degradimin e arkitekturës, sot ballafaqohemi me probleme të shumta arkitekturore, qoftë në aspektin dizajnues, qoftë në kontekstin e integrimit urban. Kështu u shpreh për Portalb.mk Arbëreshë Ibrahimi e cila ditë më parë është përzgjedhur në top pesë inxhinieret e reja më të mira në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Se a ka barriera për gratë në këtë profesion, Ibrahimi tha se ka përmirësime, duke e pasur parasysh se ka shumë gra që janë jashtëzakonisht aktive dhe që përkrahin njëra-tjetrën në projekte të ndryshme.
Portalb.mk: Ditë më parë u përzgjodhët në top 5 inxhinieret e reja më të mira në RMV, cili është projekti që të çoi drejt këtij suksesi?
Arbëreshë Ibrahimi: Sukseset e mia kanë një emër: World Design Organisation (WDO). Që nga viti 2023 jam anëtare e Young Designers Circle (YDC) në kuadër të WDO. Një ndër projektet ku jam pjesë e ekipit udhëheqës është Design Oath, që është ende në proces dhe planifikojmë ta lansojmë para opinionit botëror në 34th World Design Congress dhe WDO General Assembly, që do të mbahet në Londër (Mbretëria e Bashkuar) nga data 9 deri më 11 shtator 2025. Design Oath është një inciativë për të përcaktuar dizajnin në kontekste profesionale dhe sociokulturore të ndryshme që përfaqësohen brenda grupit tim. Duke e njohur rolin e dizajnerëve si inovatorë dhe zgjidhës problemesh në këtë fushë, tani po punojmë për të zhvilluar një betim që vendos standarde etike të forta dhe përgjegjësi për dizajnerët në mbarë botën. Përveç këtij projekti, një projekt tjetër që gjithashtu është realizuar me sukses dhe ku kam qenë pjesë e organizimit dhe udhëheqës i grupeve studentore ishte edhe projekti special në kuadër të WDO dhe YDC, me titull ‘Heritage in Motion: Defining the Future by Design’. Ky projekt kishte për qëllim punën në grupe, me mbështetje nga mentorët fakultativë dhe ekspertët e industrisë, ku studentët pjesëmarrës identifikuan hapësirën e një problemi, evidentuan boshllëqet në zgjidhjet ekzistuese dhe propozuan mundësi për inovacion. Sprinti u zhvillua online nga 30 shtatori deri më 21 tetor 2024. Ndërsa projekti tjetër Podcast “Next in Line Design” është një podcast për dizajnerët e rinj, nga dizajnerët e rinj. Ky podcast është një mundësi për të njohur brezimin e ardhshëm të udhëheqësve të frymëzuar të dizajnit nga e gjithë bota.

Portalb.mk: A ka barriera për gratë në këtë profesion? Si e shihni përfaqësimin e grave në këtë fushë, a ka përmirësim?
Arbëreshë Ibrahimi: Barrierat, për fat të keq, i krijojmë vetë në rrethin tonë të ngushtë familjar dhe shoqëror. Ka përmirësime, duke e pasur parasysh se kemi shumë gra që janë jashtëzakonisht aktive dhe që përkrahin njëra-tjetrën në projekte të ndryshme. Por, a është e mjaftueshme? Normal që jo. Besoj se gjithmonë ka mundësi që edhe më shumë gra të kyçen në fushën e inxhinierisë, që nga procesi i dizajnimit, implementimi dhe menaxhimi.
Portalb.mk: Si e shihni të ardhmen e arkitekturës në vend dhe në rajon?
Arbëreshë Ibrahimi: E ardhmja e arkitekturës së vendit tonë është më kritike se ajo e vendeve të tjera të rajonit. Për shkak të krizës politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, që reflektohet drejtpërdrejt edhe në zhvillimin dhe degradimin e arkitekturës, sot ballafaqohemi me probleme të shumta arkitekturore, qoftë në aspektin dizajnues, qoftë në kontekstin e integrimit urban. Na pret një punë jashtëzakonisht profesionale, etike dhe me përgjegjësi të lartë për të ç’rrënjosur “kancerin” arkitekturore dhe urban të vendit, nëse dëshirojmë që të vazhdojmë të jetojmë dhe kontribuojmë në këtë vend.
Portalb.mk: Si u përfshitë në World Design Organization dhe çfarë përfaqëson për ju roli në Young Designers Circle?
Arbëreshë Ibrahimi: International Balkan University, ku unë jam pjesë e stafit të departamentit të arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë, në maj sapo u anëtarësova në World Design Organization (WDO). Pas anëtarësimit tonë në WDO, filluam të informohemi për çdo lloj aktiviteti që ndodhte në kuadër të të gjithë anëtarëve dhe partnerëve të kësaj organizate. Natyrisht, unë i ndjek të gjitha aktivitetet dhe mundohem jo vetëm të kyçem vetë, por të kyç edhe të tjerët, sidomos studentët e mi. Dhe në atë periudhë kishte një thirrje për të aplikuar për Young Designers Circle (YDC), ndaj aplikova duke plotësuar formularin, dërguar CV-në dhe video-prezentimin. Në Kongresin e vitit 2023, që u mbajt në Tokio, u shpall edhe emri im si një ndër 35 Young Designers nga e gjithë bota. Dhe që nga shtatori i vitit 2023, YDC dhe WDO janë bërë pjesë e jetës sime të përditshme. Ky rol më ka dhënë mundësi të jashtëzakonshme për të njohur dizajnerë nga fushat e ndryshme të botës, por gjithashtu më ka mundësuar të realizoj projekte me vlerë botërore, duke përfshirë edhe studentët e mi, për të cilën jam tejmase e lumtur. Por gjithashtu, ky rol kërkon sakrifica dhe përgjegjësi, por ja vlen për faktin që WDO na përkrah në iniciativat tona pa hezitim.

Portalb.mk: Na tregoni pak më shumë për përvojën tuaj në “Going Green Global Design Week 2025”?
Arbëreshë Ibrahimi: Fakulteti i Dizajnit në Lubjanë (që gjithashtu është pjesë e WDO) nën drejtimin e një zonje jashtëzakonisht profesionale, aktive dhe me një energji pozitive të papërshkrueshme, Prof. Nada Rožmanec Matičič, dhe ekipin e saj të përkryer, organizon dy herë në vit konferenca të nivelit të lartë dhe jashtëzakonisht aktive. Njëra është “Going Green Global Design Week” dhe tjetra është “Urban October”. Unë jam pjesëmarrëse e rregullt në këto konferenca që gati dy vite. Thjesht, në këtë fakultet ndjehem si në shtëpinë time; atmosfera profesionale dhe pozitive është unike dhe nuk e gjen dot në vend tjetër, sidomos jo në vendin tonë.
Këtë herë në “Going Green Global Design Week 2025”, kam marrë pjesë me dy prezantime të hulumtimeve të mia. Njëra është mbi temën “Designing Inclusive Spaces: Mitigating Ethnic and Religious Divisions in Skopje” dhe tjetra është një përfaqësim i punës sonë të përbashkët me kolegët e mi të YDC, Arjit Singh, Luis Domínguez, Eunice Joy Ison, Leslie Sern dhe José Tomás Marchant, e titulluar “From Moral Principles to Ethical Practice: The Case for an Oath for Design”.
Përveç këtyre dy prezantimeve, isha e ftuar speciale në panel-diskutimin me temën “Design as a Strategy of Growth of Every Company” dhe gjithashtu moderova diskutimin në Design Talk mbi temën “Ethics and Social Responsibility in Design”. Po ashtu, së bashku me dy kolegë të mi nga International Balkan University, organizuam ëorkshopin “Designing for the Future: Sustainable and AI-Powered Interiors for Social Architecture” me studentët e Fakultetit të Dizajnit në Lubjanë. Punimet e tyre më të mira u publikuan në journalin “Journal of Balkan Architecture, Volume 1, Issue 2”.
Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe mundësi shumë e mirë për gjithë komunitetin profesional të dizajnit, për të shkëmbyer ide dhe për të krijuar mundësi bashkëpunimi. Tani, po përgatitemi për një projekt të përbashkët që do të realizohet në Urban October 2025.

Portalb.mk: Si mendoni se mund të kontribuojnë të rinjtë nga Ballkani në dizajnin global?
Arbëreshë Ibrahimi: Me WDO është shumë lehtë që çdo i ri të kontribuojë në fushën globale edhe me projektet për vendin e tyre, pra në nivel glokal. Mjafton të ndjekin faqen e internetit të WDO, të aplikojnë për projektet që janë të hapura për të gjithë. Gjithashtu, jo vetëm për universitetet, por edhe për firmat dizajnuese dhe të tjerët, është një mundësi jashtëzakonisht e madhe për globalizimin e eksperiencave të tyre përmes kësaj organizate, nëse bëhen anëtarë.
Portalb.mk: Si lidhet arkitektura me ruajtjen e trashëgimisë kulturore?
Arbëreshë Ibrahimi: Janë dy gjëra të pandara. Është detyra jonë profesionale që, përmes dizajneve tona, të kontribuojmë jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por gjithashtu edhe në promovimin e saj. Diverzitetet kulturore që ka vendi ynë janë pasuria më e madhe që ne e posedojmë, por për fat të keq, strukturat shtetërore nuk e vlerësojnë siç duhet, dhe për këtë arsye ecim prapa, në vend që të zhvillohemi si shtet përmes trashëgimisë kulturore që e posedojmë.