Ansambli Shtetëror nderon legjendat e muzikës, koncert për ata që i dhanë zë shpirtit shqiptar
Sonte, me 30 tetor, në Teatrin Shqiptar në Shkup, me fillim nga ora 19:30, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV, organizon koncertin “Për hir të doajenëve tanë”, një mbrëmje e veçantë kushtuar Vëllezërve Dervishi, Vëllezërve Sejdiu dhe Haxhi Maqellara, emrave që lan gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë muzikore, shkruan Portalb.mk.
Ky koncert është më shumë se një ngjarje artistike, është një përkulje e thellë para brezave që i dhanë shpirt dhe identitet muzikës popullore, para zërave që e bënë artin e këngës shqiptare të tejkalojë kufijtë e kohës dhe të mbetet trashëgimi e gjallë për brezat që vijnë.
Në këtë mbrëmje do të interpretohen disa nga krijimet më të njohura të këtyre mjeshtërve, të cilat kanë mbetur në kujtesën kolektive si pasuri e kulturës. Publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një udhëtim emocional nëpër tingujt e dashurisë, nostalgjisë dhe krenarisë shqiptare, përmes interpretimit të artistëve të Ansamblit, të cilët me përkushtim e profesionalizëm do të risjellin magjinë e artit të vërtetë.
Jetmir Rexhepi drejtor i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në R.M.V, për Portalb.mk tha se folklori shqiptar është shumë i pastër, dhe në atë kontekst ka shkruar që të bëhet dhe një koncert i doajenëve.
“Këta janë artistët që e kanë kultivuar dhe mbajtur gjallë këngën autoktone shqiptare, atë këngë që buron nga shpirti dhe rrënjët tona. Pikërisht kënga e Pollogut, e trashëguar brez pas brezi dhe e ruajtur me dashuri nga vëllezërit Sejdiu Jashari dhe Idajeti, është shembull i përkushtimit dhe autenticitetit tonë kulturor. Po ashtu, Vëllezërit Dervishi janë simbol i këngës së Kërçovës, një këngë e rrallë, e cila nuk mund të kultivohet nga kushdo por vetëm nga ata që e ndjejnë dhe e jetojnë shpirtin e saj. Si dhe këngët e Haxhi Maqellarës të cilat janë ende të freskëta për publikun shqiptar”, tha Rexhepi.
Ai shtoi se rina dëgjojnë zhanre të ndryshme të muzikës dhe nuk i vlerësojnë aq shumë këngët autoktone.
“Sot, fatkeqësisht, rinia nuk është aq e lidhur me këngën autoktone, popullore apo qytetare shqiptare. Ajo shpesh i drejtohet muzikës moderne hip-hop, R’n’B apo zhanreve komerciale duke harruar se sa bukuri, forcë dhe art qëndron te kënga jonë e pastër popullore. E njoh atë dhembje, e di sa e rëndësishme është ta ruajmë dhe ta kultivojmë folklorin tonë të pastër shqiptar, ndaj edhe kam propozuar organizimin e një koncerti në nder të doajenëve të muzikës sonë që rinia të dëgjojë, të mësojë dhe të kuptojë se kemi këngë të mrekullueshme, plot vlera dhe shpirt artistik”, tha Rexhepi.
“Për hirë të doajenëve tanë” është një rikthim te rrënjët, një falënderim për ata që me zërin, melodinë dhe shpirtin e tyre ndërtuan themelet e identitetit tonë muzikor.
Nëpërmjet këtij koncerti, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare synon të kujtojë me mirënjohje kontributin e tyre dhe të përcjellë mesazhin se tradita nuk është e kaluar, por frymëzim i së ardhmes.
