Ansambli i Këngëve dhe Valleve e mbylli turneun me Festivalin e Gjirokastrës

Ansambli i Këngëve dhe Valleve me një program të pasur ka përfaqësuar traditën dhe folklorin shqiptar të shqiptarëve të Maqedonisë në natën e parë të Festivalin Folklorik Kombëtar i cili mbahet në Gjirokastër si dhe konsiderohet si ngjarja më e madhe e traditës dhe e ruajtjes së vlerave etnografike, njofton Portalb.mk.

Ngjarja mbahet në Kalanë e Gjirokastrës, ka filluar nga data 24 qershor dhe do të zgjas  deri më 1 korrik.

Lajm i mirë ishte për krejt adhuruesit e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore rikthimi i këtij festivali pas tetë vitesh, kujtojmë që hera e fundit që është mbajtur ka qenë viti 2015.

Historia e këtij festivali rrugëtimin e ka nisur që në vitet e hershme diku nga viti 1968, ndërkohë pjesëmarrja ka qenë masive pasi ka përfshirë të gjitha trevat shqiptare. Mbi 1200 artistë pritet që edhe sivjet të sjellin këngë djepi, këngë dasme e vaje, valle të anëve nga vinë. Entuziazmi i natës së parë ka qenë i madh duke shpërndarë foto e video njerëzit e pranishëm si edhe vet artistët të cilët këndojnë e kërcejnë në gjuhën e njejtë dhe pastaj pasi mbaron prezantimi nisen kufijve nga kanë ardhur.

Foto nga faqja zyrtare e AKV
Foto nga faqja zyrtare e AKV

Sidoqoftë, të mahnitur nga performanca e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të RMV kanë ngelur kryeministri Edi Rama që ka postuar foto në profilin e tij si edhe ministrja e kulturës Elva Margariti e cila ka veçuar se i kanë surprizuar me  këngët polifonike me të cilat është prezantuar ansambli.

Ansambli drejtohet nga këngëtari Shkodran Tolaj, ndërsa solistët përbëhen nga emrat: Besarta Murtezani, Jetmir Rexhepi, Selajdin Miftari, Era Azemi, Kastriot Latifi, Agron Kalisi, Nexhat Suma si edhe Zekirja Llamallari.

Instrumentistë: Driton Beqiri – Klarinet, Vullnet Neziri – Oboa, Dukagjin Ismaili – kitarë, Arber Tahiri – Violinë, Argjira Çollaku – Flautë, Arsim Iljazi – Kontrabas, Orfe Asllanaj – Tupan, Shkëlqim Jahi – Fis Harmonikë,  Remzi Selmani – Def.

Foto nga faqja zyrtare e Festivalit Folklorik Kombëtar
Foto nga faqja zyrtare e Festivalit Folklorik Kombëtar

Valltarë: Majlinda Selmani, Xheneta Zeneli, Albana Loku, Xhejda Jusufi, Fatime Bytiqi, Sara Islami, Peme Hoxha, Fitore Berisha, Edona Loku, Jeton Ferati, Avni Zeneli, Enes Ademi, Betim Jakupi, Samir Thaçi, Rijad Fazli, Bali Saliu, Faton Xhoni, Gëzim Marovci, Ariat Rexhepi si edhe dy vullnetarë Nehat Sadiki dhe  Hajrulla Limani. Janë këto emrat që kanë ushtruar për muaj të tërë për të na përfaqësuar denjësisht në turneun që e kanë filluar gati një muaj në vende të ndryshme, si  Prishtinë, Zagreb, Ulqin, Bujanoc për të ndaluar më në fund në Gjirokastër.

Ngjarjet e mëdha me këso përmasa mbarëkombëtare gjithnjë bëhen problematike dhe përçarëse kur ne mes futen çmime, sado që qëllimi ngelet përbashkimi. Sivjet është vepruar ndryshe, janë larguar çmimet, kjo nga shkaku i problemeve të mëhershme në ndarjen e çmimeve që kanë bërë grupe të ndryshme të braktisin festivalin.

Programi me të cilin e prezantuan:

1.“Vin vaporat “-  Jetmir Rexhepi

2.“Vallja e Rekës” – i integruar me këngën “Fusha e Korabit” interpretuar nga Besarta Murtezani

3.“Kur jam kan 12 vjet” – Besarta Murtezani dhe Era Azemi

4.“Po të bej Rixha”-Agron Kalisi

5.“Vajzën tuj nuk e dum” – Kastriot Latifi dhe Zeqirja Llamallari

6.“More djalë i mejdanit “–  Selajdin Miftari, Kastriot Latifi dhe Zeqirja Llamallari

7. “Isuf Xhelili “– Selajdin Miftari

8.” Ju këndojmë nga Ilirida” – Grupi i këngëtarëve (që ngërthen motive nga Struga, Dibra, Kërcova, Gostivari dhe Tetova.)

9.“Vallja e Dibrës”

10. “Ç’po i bjen era retë e zeza”–  Shkodran Tolaj dhe Jetmir Rexhepi

Dhe në fund me kërkesë nga festivali u interpretua dhe kënga polifonike” bijë çobanësh”. 

Pika të njohura për ata që përcjellin programin dhe ngjarjet e këtij ansambli në te cilin dominon një dashuri për punën dhe një seriozitet e profesionalizëm në interpretim për këtë fakt edhe është një nga ansamblet më konkurruese në rajon.