Anëtarët e rinj të Antikorrupsionit e morën detyrën: E rëndësishme është që çdo iniciativë të përfundojë me vendim gjyqësor

Përbërja e re e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka dhënë sot deklaratë solemne para kryetarit të Kuvendit, Jovan Mitreski. Kryetare e Komisionit Kundër Korrupsionit është Tatjana Dimitrovska, ekonomiste e diplomuar nga Shkupi dhe punonjëse e Entit shtetëror për revizion (EShR), ndërsa anëtarë janë gjyqtarja e Gjykatës Themelore Sofia Spasova-Medarska, dy ish-këshilltaret në KShPK-së Biljana Karakashova-Shulev dhe Besnik Xhemaili, auditorët Zoran Bogoevski, Cveta Ristovska dhe Servet Demiri, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja Dimitrovska më pas deklaroi se do të punojnë në mënyrë të pavarur dhe objektive dhe nuk do të lejojnë asnjë presion apo ndikim.

“Sigurisht që vetëm si institucion nuk mjafton të mbrohemi nga ky fenomen korrupsioni, i cili është gjenerues i shumë problemeve në shoqëri. Dhe si hallkë domethënëse në atë sistem është Prokuroria Publike. Po ashtu, për ne është e një rëndësie të veçantë që çdo iniciativë apo çdo procedurë e iniciuar të përfundojë me vendim gjyqësor të formës së prerë, që do të thotë se do të përpiqemi ta intensifikojmë atë bashkëpunim me qëllimin e përbashkët për parandalimin e korrupsionit”, tha Dimitrovska.

Përbërja e re e KShPK-së u votua në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar.

Kujtojmë se biografitë e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit janë sekrete për publikun. Biografitë e printuara i morën vetëm anëtarët e komisionit që vendos për përzgjedhjen e tyre dhe anëtarët që i bënin intervistat.

Atyre u duhej të nënshkruanin një marrëveshje konfidencialiteti sepse biografitë përmbanin “të dhëna personale”. Mbetet e paqartë se pse këto të dhëna, si numri i vetëm amë i qytetarit, adresa e banimit apo numri i telefonit nuk u fshehën, pra nuk u fshinë dhe pastaj të njëjtat të publikoheshin në mënyrë që publiku të mund të shihte se cilët kandidatë pretendojnë të luftojnë kundër korrupsionit në katër vitet e ardhshme.

Nga ana tjetër intervistimi i kandidatëve, ndërsa në emër të transparencës, u transmetua në kanalin parlamentar, por për këtë transmetim nuk kishte asnjë njoftim, ndërsa kanali parlamentar nuk mund të rishikohet edhe pas transmetimit të programeve, siç është rasti me kanalet e tjera televizive. Për këtë shkak vihet në pikëpyetje se sa përzgjedhja e antikorrupsionerëve të ardhshëm ishte transparente, apo thjesht fshihet pas perdes së llogaridhënies.

Për përzgjedhjen e kandidatëve, reagim të ashpër pati nga sektori civil. Pas publikimit të rang-listës së kandidatëve për përbërjen e radhës të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), anëtarja e Komisionit për Selektim për Zgjedhjen e Kryetarit dhe Anëtarëve të Komisionit Kundër Korrupsion Snezhana Kamilovska-Tërpovska bëri me dije se ka mendim të ndryshëm në lidhje me listën e përcaktuar në të cilën, sipas saj, vë në dukje votim të njëanshëm dhe të orkestruar nga anëtarët e tjerë të Komisionit.