Ambasadori i Ukrainës: Ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen e OSBE-së me një shtet që është rrëmbyes i të ardhmes sonë

Duke treguar pesë kokrra drithi të djegura nga Rusia me një dron iranian, Jevheni Tsimbaljek, në një fjalim para Këshillit të Ministrave në Shkup, tha se Rusia deri më tani ka shkatërruar qindra mijëra tonë drithë, që, theksoi ai, ka lënë shumë familje në mbarë botën pa ushqim, shkruan Meta.mk.

Në fjalimin e tij, ai shprehu mirënjohjen për të gjitha shtetet që mbështesin Ukrainën në luftën e saj për liri, me të cilën, siç tha ai, kontribuojnë në mbrojtjen e së ardhmes së OSBE-së.

Në dy vitet e fundit, sipas Tsimbaljek, OSBE-ja ka treguar se ka më shumë efekt kur injorohen shantazhet e Rusisë dhe kur i flitet Rusisë me një perspektivë uniteti dhe i të drejtës morale.

“Përndryshe, Rusia do të kërkojë gjithnjë e më shumë lëshime. Është e qartë se ne nuk mund të ndërtojmë të ardhmen e OSBE-së, me një shtet që rrëmben të ardhmen tonë dhe fëmijët tanë”, tha Tsimbaljek.

Në vitin e dhjetë që nga aneksimi i Krimesë, në vitin 2024, sipas Tsimbaljek, OSBE-ja si kurrë më parë ka nevojë për udhëheqje të mirë në mbrojtje të parimeve të Organizatës, me izolim të Rusisë dhe veprimeve të saja malinje.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut është nikoqir i ngjarjes më të madhe politike-diplomatike që ka organizuar ndonjëherë që nga pavarësia e saj. Prej sot deri të premten mbahet takimi i 30-të ministror i OSBE-së, gjegjësisht në Shkup do të qëndrojnë për vizitë ministrat e Punëve të Jashtme të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE).

Në këtë ngjarje po marrin pjesë rreth 1.000 delegatë me 76 delegacione nga 57 anëtarë dhe shtete partnere të organizatës.