Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, thirrje KQZ-së: Respektoni ligjin, jo interesat politike
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të respektojë procedurat ligjore në rastin e certifikimit të Listës Serbe, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“I bëj thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës që të sigurojë se procesi zgjedhor të kryhet me integritet dhe bazuar në procedura të drejta ligjore, e jo mbi interesa politike”, shkroi Hargreaves.
Më 23 dhjetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e certifikoi Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), dalën kundër certifikimit të kësaj partie – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – duke përmendur që kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.
Në reagimin e tij, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Hargreaves, kërkoi nga KQZ-ja dhe anëtarët e saj që të jenë gjithëpërfshirës dhe transparent.
“Presim që KQZ-ja dhe të gjithë anëtarët e saj të vlerësojnë certifikimin e Listës Serbe sipas një zbatimi gjithëpërfshirës, transparent dhe të qëndrueshëm të rregulloreve përkatëse”, tha Hargreaves.
Lista Serbe e ka konsideruar vendimin si të kundërligjshëm.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar të hënën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po tenton “të eliminojë kundërshtarin e vetëm” në Kosovë, Listën Serbe.
Më vonë, Vuçiq ka thënë se ka biseduar edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për ato që i ka konsideruar shkelje të ligjit ndërkombëtar nga ana e Prishtinës, duke ia pamundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje.