Aktiviteti i heshtur rus në Maqedoninë e Veriut

Pasi të gjitha institucionet e SHBA-së dhe BE-së i kanë vënë nën sanksione kompanitë ruse, në Maqedoninë e Veriut (MV), oligarkët rusë gjegjësisht kompanitë e tyre po funksionojnë me lehtësi dhe vazhdojnë ta ushtrojnë veprimtarinë financiare pa ndonjë shqetësim. Nga ana tjetër, zyrtarët e qeverisë maqedonase thonë se po punojnë në përputhje me ligjet e BE-së. Paradoksi në zbehjen e aktiviteteve  inteligjente të Shkupit kundër veprimeve financiare ruse është i dukshëm, e këtu shihet me kompaninë e oligarkut rus Oleg Bojko i cili po vepron i paprekur në MV në mënyrë publike duke përfituar nga kreditë e shpejta.

Nga ana tjetër, ‘Njësia Ekonomike e Inteligjencës” në Shkup pranë Ministrisë së Financave dhe organet e zbulimit duhet të ndryshojnë sferën e hetimeve (nëse ka të tilla) dhe analizës se si oligarkët rusë arrijnë të veprojnë kaq lehtë në MV. Këtu nuk duhet të harrohen kompanitë tjera (mediale), me pronësi serbo- maqedonase -kosovare, pra funksionimi i tyre me vite dhe të pa ‘zbuluara’ nga shteti.

Gjendja me ndikimin rus në MV nuk ka marrë fund. Përderisa qeveria thotë se ndikimi është i zbehtë dhe fondet e huaja sidomos nga SHBA dhe BE nuk kanë qenë të pakta, (të destinuara gabimisht), Rusia dhe Serbia me mjetet tyre të dezinformimit po vazhdojnë pa ndonjë pengesë të mbajnë gjallë jo vetëm propagandën, por të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin financiar të vendeve të Ballkanit dhe të MV., ku siç u raportua oligarku rus vazhdon të jetë aktiv me kreditë bankare.

Ditë më parë në autostradën për në jug të MV-së, në tabelat e komunikacionit u shfaq shkronja ‘Z’ duke treguar haptazi për simpatinë vendase që ekziston ndaj agresionit rus kundër Ukrainës. Dezinformimi dhe simpatitë publike maqedonase ndaj Rusisë pavarësisht hyrjes në NATO nuk janë ndërprerë, po vazhdojnë dhe do të jetë e pamundur që institucionet e shtetit dhe fondet ndërkombëtare të parandalojnë këtë ndikim. Ajo që është e rëndësishme dhe që duhet të mirret parasyshë, është neglizhenca e zyrtarëve maqedonas dhe e agjencive të kundërzbulimit ndaj aktorëve malinj për të penguar aksione të dyshimta financiare. BE-ja i zgjeroi sanksionet duke ndaluar transmetimin e mediave ruse në BE. Po ashtu BE-ja miratoi zyrtarisht këtë të premte paketën e 11-të të sanksioneve kundër Rusisë.

Në kuadër të luftës perëndimore kundër oligarëve rusë, SHBA -të mbeten të përkushtuara për të penguar përpjekjet e përsëritura të Moskës për të minuar proceset demokratike. “Si pjesë e këtyre përpjekjeve, SHBA-të po sanksionojnë dy oficerë të Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB), Yegor Sergeyevich Popov dhe Aleksei Borisovich Sukhodolov. Ky veprim lidhet drejtpërdrejt me përcaktimin e 29 korrikut 2022 të bashkëpunëtorëve të FSB-së Aleksandr Viktorovich Ionov dhe Natalya Valeryevna Burlinova dhe organizatave të tyre”, njoftoi Departamenti i Shtetit.

Për sa përket efektit të sanksioneve, disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare theksuan në një raport të quajtur si “Rotenberg Files” se nga sanksionet ndërkombëtare oligarkët rus kanë shpëtuar duke përfshirë këtu dhe pasurinë e presidentit Putin. Ka indikacione se autoritetet në Ballkan dhe disa individë vazhdojnë të jenë palë të treta në investimet ruse ose të fshehjes së pasurisë. Shkupi zyrtarë duhet ta marrë seriozisht veprimin rus dhe serb në Regjistrat Qendrorë dhe zhvillimin e biznesit të të gjitha llojeve. Pasi rrënjët ruse nuk janë shkulur nga ky shtet dhe nga rajoni, këtu kërkohet një angazhim i gjithanshëm i qeverisë për të zbuluar aktorët brenda shtetit dhe lidhjet e mundshme me figura rajonale e lokale të politikës, medias, biznesit etj etj.

Njëkohësisht te dezinformimi rus do të duhet një strategji kombëtare e cila do të funksionojë pa qasje selektive. Do të jenë të kota thirrjet e qeveritarëve në Shkup se po e luftojmë ndikim rus, kurse nga ana tjetër oligarkët e Kremlinit me kapitalin e tyre po mbajë gjallë disa politikanë, zyrtarë, organizata të medias dhe kompani.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.