Oligarku rus Oleg Bojko, pronar i disa firmave për kredi të shpejta në RMV

Biznesmeni kontrovers rus, Oleg Viktoroviç Bojko i cili gjendet në listën e të sanksionuarve në Ukrainë, Kanada dhe Australi, për shkak të mbështetjes së Qeverisë së Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës, ka firma për kredi të shpejta në Maqedoninë e Veriut, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Financave të Amerikës, Bojkon e ka vendosur në të ashtuquajturën “Listë të Putinit”, në të cilën gjenden oligarkët e afërt të presidentit rus Vladimir Putin.

Bojko posedon firma për kredi të shpejta në mbi 30 vende të botës. Njëra prej firmave në Shqipëri ishte e lidhur me skandalin e rrjedhjes së të dhënave të 600.000 shfrytëzuesve të kredive të shpejta të cilat kanë përfunduar në “treg të zi”.

Pavarësisht se ai është i sanksionuar nga disa vende dhe është i përzier në një sërë skandalesh, Bojko vazhdon të bëjë biznes në Maqedoninë e Veriut. Ai do të ishte “në interes” për institucionet e RMV-së vetën nëse kundër tij vendosin sanksione SHBA, BE dhe OKB.

Miliarderi rus me nënshtetësi italiane dhe greke, Bojko, sipas Forbs, peshon së paku 1,2 miliardë, ndërkaq në Regjistrin Qendror të RMV-së ka hapur firmë për kredi të shpejta në emrin “Dixhital Fajnas Interneshionall”.

Bojko ka hyrë në tregun e RMV-së me gjysmë milioni euro

Firma e Bojkos i posedon brendet për kredi të shpejta si “Forca” dhe “Kredi”, ndërkaq para ca kohësh firma e tij e ka paralajmëruar edhe produktin “Hipokredit” me të cilin mund të merrni kredi prej 65.000 euro duke lënë në hipotekë pronë me afat për pagesë prej 15 vitesh.

Me gjysmë milioni euro, kjo firmë është regjistruar në vitin 2016-të.

Për vetëm pesë vjet nga themelimi, në ranglistën e 35 shoqërive financiare të cilat merrem me kredi të shpejta në vend, në vitin 2021 është ngjitur në vendin e shtatë me prejardhje prej 2,5 milion euro. Por, fitimi në llogarinë përfundimtare është vetëm 10% nga të ardhurat, gjegjësisht 226.000 euro, derisa gjithçka tjetër, në llogarinë përfundimtare të dorëzuar në Regjistrin Qendror është e shkruar si shpenzime.

Vitin e kaluar, u ka rënë puna, kështu që firma ka realizuar të ardhura prej 1,2 milionë euro, por për shkak të shpenzimeve të mëdha, të cilat janë shkruar në llogarinë përfundimtare, vitin e ka përfunduar me humbje prej mbi 300.000 euro, që do të thotë se shtetit i ka paguar tatim vetëm 50.000 euro, që është për tre herë më pak se vitin e kaluar.

Eksperti financiar, Branimir Jovanoviq thotë se firmat për kredi të shpejta të cilat funksionojnë me shpenzime të ulëta, dhe paguajnë kredi të larta, lënë hapësirë për dyshim për larje parash.

“Dyshimi im i parë është se bëhet fjalë për tërheqje të parave nga shteti në disa parajsa tatimore, dhe se ajo mund të bëhet nëpërmjet çmimeve transferuese, gjegjësisht nëpërmjet regjistrimit fiktiv të produkteve dhe shërbimeve me çmime të cilat janë më të larta se sa të tregut, dhe në atë mënyrë tërhiqet fitimi mbrapa. Por, kjo është hipotezë e pakonfirmuar, të cilën kompetentët duhet ta verifikojnë dhe të veprojnë”, thotë Jovanoviq, duke vazhduar se firmat që merrem me kredi të shpejta, janë me rrezik të lartë për aspektin e larjes së parave.

Nga ana tjetër, institucionet e RMV-së, pavarësisht kërkesës së REL, nuk zbulojnë detaje për firmën e Bojkos për kredi të shpejta.

40% e firmave për kredi janë të themeluara nga kapitali i huaj, ndërkaq në mesin e tyre ka edhe biznesmenë nga Çekia dhe Letonia.