Aksioni i djeshëm në Shkup dhe Kumanovë, Prokuroria nisi procedurë ndaj gjashtë personave për trafik droge

Prokuroria Themelore Publike Shkup sot nisi procedurë kundër gjashtë personave, për shkak të dyshimit të bazuar se së bashku kanë kryer vepër penale të vazhdueshme – Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve sipas nenit 215, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 dhe në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Procedura parahetimore e Prokurorisë Themelore Publike Shkup në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme zgjati disa muaj, dhe një pjesë e provave u sigurua duke zbatuar masa të posaçme hetimore.

Gjatë ditës së djeshme, zyrtarët e policisë, bazuar në urdhëresa të siguruara gjyqësore, kryen bastisje në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë me qëllim zbulimin e plotë të personave dhe aktiviteteve të tyre që zgjatën për një periudhë më të gjatë kohore.

“Sipas provave të ofruara, ekziston dyshimi se ata së bashku me paramendim kanë kryer veprime të shumëfishta të lidhura në kohë që përfaqësojnë kryerje të shumëfishtë të të njëjtit krim, duke përfituar nga e njëjta marrëdhënie e përhershme dhe të njëjtat rrethana, kështu që paraprakisht në mënyrë të paautorizuar kanë siguruar, poseduar dhe shitur substancë psikotrope – amfetaminë, e cila është klasifikuar në Listën Kombëtare II të substancave psikotrope të kontrolluara, si dhe 3,4-metilen-dioksimetamfetaminë (MDMA) –  substancë psikotrope, e klasifikuar në Listën Kombëtare I të substancave psikotrope të kontrolluara”, njofton Prokuroria.

Gjatë bastisjeve në disa lokacione, u gjetën afërsisht 6 kilogramë amfetaminë, si dhe disa tableta, pako me lëndë bimore, si dhe objekte të tjera që i nënshtrohen ekspertizës me urdhër të prokurorit publik.

Prokurori publik kompetent i dorëzoi sot gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit afatshkurtër prej 48 orësh për të gjashtë personat e privuar nga liria, një periudhë kohore e nevojshme për mbledhjen e provave, analizimin e materialit të gjerë provues dhe përfundimin e ekspertizës.